Kosova

MINT heq masën mbrojtëse antidamping për koncentratin e shpezëve dhe kafshëve që vjen nga Serbia


Rozeta Hajdari

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, ka marrë vendim këtë të premte për të ndërprerë masën mbrojtse antidamping mbi sektorin e prodhimit të koncentratit për shpezë dhe kafshë që importohen nga Serbia.

Për arsyetimin e këtij vendimi, MINT ka thënë se është marrë pas kërkesës së bërë nga Shoqata e Shpendarëve të Kosovës.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Departamenti i Tregtisë, në bashkëpunim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, kanë shqyrtuar këto dy kërkesa dhe po ashtu kanë zhvilluar takime me Shoqatën e Shpendarëve të Kosovës, me kompanitë prodhuese, me Doganën e Kosovës, dhe ASK-në”, thuhet në deklaratën e MINT-it.

“Në bazë të dhënave të marra në teren nga prodhuesit, importuesit si dhe nga pikat shitëse, është konstatuar se prodhimi vendor nuk e plotëson kushtin kryesor për mbrojtje me masën antidamping, sepse sasia e prodhimit vendor të këtij produkti është më e vogël se (50%) e prodhimit total të produktit të ngjashëm”.

Prandaj, deklarojnë nga MINT, “prodhimi i këtij produkti nuk e ka plotësuar kushtin i cili parashihet në paragrafin 6 të nenit 28 të Ligjit Nr. 04/L-240 Për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese”.

Ndërkaq, aty potencohet se në Kosovë janë vetëm dy prodhues të licencuar për prodhimin e koncentrateve për shpezë dhe kafshë, i cili siç thonë nga MINT, nuk është i mjaftueshëm.

“Sipas ASK dhe AUV, në Kosovë janë vetëm 2 prodhues të licencuar për prodhimin e koncentrateve për shpezë dhe kafshë, gjë që rezulton me mos përmbushje të nevojave të tregut në Republikën e Kosovës me produktet përkatëse, prandaj mbi këtë bazë Komisioni Ndërqeveritar i lartcekur ka rekomanduar ndërprerjen e kësaj mase”.

Tutje, aty theksohet se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, “mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e prodhuesve vendor dhe ruajtjen e konkurrencës së shëndoshë në Republikën e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore