Kosova

Ministri Peci: Nga tash do filloj të shpërndajë keqpërdorime


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se Instituti Bujqësor i Kosovës ka tjetërsuar rreth 100 hektarë me toka dhe ka tjetërsuar prona dhe banesa të IBK-së.

Peci, teksa ka publikuar një dokument të IBK-së thotë se ka mungesë të veprimit nga institucionet e drejtësisë.

“Në mungesë të veprimit të institucioneve të drejtësisë do të filloj të ndaj me qytetarët dëshmi se si akter të ndryshëm në institucione kanë bërë tjetërsimin e pronave shtetërore për interesa miskine e personale. Instituti Bujqësor i Kosovës për më shumë se një dekadë ka tjetërsuar rreth 100 hektarë me toka dhe ka tjetërsuar prona/banesa të IBK-së me “vërtetime”, ka shkruar ai në Facebook.

Vitin e kaluar, Pecit i ishte ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës pasi kishte marrë kërcënime.

Kërcënimet kishin ardhur si pasojë e deklaratës së Pecit se ka të gjetura skandaloze nga Komisioni që është themeluar pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm, rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

“Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”, kishte shkruar Peci në Facebook mbrëmjen e 19 tetorit.

“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”.

Ministri është shprehur se uzurpimi dhe tjetërsimi i pronës publike është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore