Kosova

Minatorëve sërish s’u ekzekutohen pagat


Foto nga Albanian Post.

Sindikata e Pavarur e Trepçës, ka njoftuar se sërish janë duke u ballafaquar me probleme të ngjashme të ekzekutimit të pagave për minatorët për çka edhe kishin mbajtur grevë para disa muajsh ku gjendja e një numri të madh të minatorëve ishte përkeqësuar.

Lajmin e ka bërë të ditur sindikata përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot kur ne të gjithë me padurim presim ekzekutimin e pagave, me gjasë e njëjta përsëri nuk do të realizohet, duke vazhduar kështu pafund injorimi, fyerja dhe degradimi total i minatorëve”.

Sipas tyre, një situatë e ngjashme e përsëritur tash e disa herë me radhë është duke cenuar ekzistencën e tyre.

“Mungesa e mjeteve ekzistenciale të jetës (pagesa e pagës) dhe injorimi i menaxhmentit për të bërë punën e tyre tashmë nuk dëshiron koment”.

Nga sindikata është thënë se tashmë është koha që këtij shqetësimi t’i vijë fundi, duke kërkuar që të ekzekutohen pagat.

Minatorët, kishin mbajtur grevë në muajin tetor, pikërisht për shkak të mos ekzekutimit të pagave

Me 8 gusht, Qeveria e Kosovës kishte ndarë edhe mbi 1 milion euro për Trepçën.

Punëtoret e Trepçës, së fundmi kishin protestuar për dy ditë radhazi për mos marrjen e pagave të muajit korrik.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore