Lajme

Një pjesë e minatorëve të Trepçës hyjnë sërish në grevë


Ilustrim.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ka bërë të ditur se minatorët e minierës me flotacion, kanë hyrë sërish në grevë brenda vendit të punës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo sindikatë.

“Ju njoftojmë se sot me 24 tetor, minatorët e minierës me flotacion, janë futur në grevë brenda në minerë (në galeri) dhe kërkesat e minatorëve janë: Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 06-10, shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit), sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës”, është thënë në komunikatë.

Minatorët e Stantërgut që nga e premtja e deri të martën kanë bojkotuar punën disa herë meqë nuk u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” u emërua nga Qeveria Kurti në shkurt të 2022.

Foto: Ilustrim.

Ai përbëhet nga Bahri Hyseni – kryesues, Bujar Bilalli, Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci dhe Xhevdet Tahiri, anëtarë të bordit.

Me 8 gusht, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe mbi 1 milion euro për Trepçën.

Punëtoret e Trepçës, së fundmi kishin protestuar për dy ditë radhazi për mos marrjen e pagave të muajit korrik.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

40 minatorët që u bllokuan në “Trepçë” – shteti s’po iu blenë as doreza e veshje adekuate, ashensorët s’janë ndërruar ndër vite

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore