Kosova

Mimoza Kusari-Lila gënjeu, me “Radojiçiç-in foli 5 herë”


Mimoza Kusari - Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizje Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, pranoi – një ditë më parë –  se ka biseduar vetëm “2-3 minuta” dhe jo më shumë me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë, por në pjesën e dytë të përgjimeve të publikuara nga Nacionale.com, del se ajo ka biseduar me këtë të fundit pesë herë.

“Njëherë keni biseduar gjatë, kur keni biseduar për energji në Veri, a mban mend?”, pyet fillimisht ish-deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç.

“Po, për rrymën në Veri”, ia kthen Kusari-Lila.

Simiçi me tej në audio-incizimin e publikuar i thotë Kusarit “se do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti”, po në rast se një informacion i tillë –  pra biseda me një person me të kaluar kriminale – të publikohej në media.

“Paramendoje sikur të kisha dal përpara mediave, dhe të them që Mimoza ka thënë, seriozisht të them, se jo ty, por edhe kryeministrit do t’i thyhej koka, të gjithëve me rend, nëse do ta thoja këtë. Je dëgjuar pesë herë me Milanin”, shton Simiç.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të detajizuar kishin shpjeguar arsyet e shpalljes së Milan Radojiçiç si “persona non-grata”, në pjesën e dytë të përgjimit, ku dëgjohet biseda e shefes së grupit parlamentar të LVV-së dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Kusari interesohet se për çfarë arsyesh e kanë vënë në listë të zezë amerikanët, Radojiçiç-in, dhe se pse Lista Serbe nuk po ia shpreh shqetësimet për këtë çështje, ambasadorit amerikan.

“E pse e kanë vënë në listën e zezë të Amerikës?”, pyet fillimisht Mimoza.

Simiç i çuditur pyet “pse e kanë vënë?”.

“Po të pyes unë ty, vallë jo për shkak të Albin Kurtit?”, shton Mimoza.

“Për asgjë nuk e kanë vënë. E kanë lidhur me disa raste të mëhershme”, shpjegon Simiç.

“Me Zvonko Veselinoviçin”, pyet Kusari?

“Po, Zvonko Veselinoviç as që jeton në Kosovë”, ia kthen Simiç, duke shtuar se “nuk janë vetëm ata, janë disa njerëz nga Veriu dhe përsëri të them se janë njerëz biznesmen dhe njerëz familjarë që janë të respektuar që nuk kanë asnjë njollë as në karrierë”.

“E di Sllavko, por qartë nuk janë të pastër për amerikanët”, shton Kusari duke këshilluar Simiç-in të pyesin ambasadorin amerikan për arsyet e vendosjes së Radojiçiç-it në Listën e Zezë të Amerikës.

Në audio-incizimin në fjalë ndër të tjera zyrtari i lartë i Listës Serbe, Simiç ia lexon Kusari-Lilës një mesazh të Milan Radojçiç-it, i cili kishte shkruar se dëmet më të madh në jetë ia kishte bërë PDK-ja.

Në atë mesazh, po ashtu, Radojiçiç-i i thotë se do të përballet me PDK-në sa të jetë gjallë.

“E para, PDK-ja është struktura që më ka shkaktuar më se shumti dëme në jetë. Dhe do të përballem me ta sa të jem gjallë.”, thuhet në mesazhin e Radojçiqit, i cili i lexohet Kusari-Lilës nga deputeti Simiç.

Me tej, përmes mesazhit, Radojiçiç tregon se kurrë në jetë PDK-ja nuk mund t`i jep atij instruksione.

“Me atë proces të montuar dhe përpjekjen për të me arrestuar dhe të gjitha akuzat, kështu që kurrë, po kurrë, ata nuk mund të me japin urdhra e instruksione mua. Kjo është për atë që the ti më herët që në marrim inskursione prej PDK-së”, thuhet në mesazhin e Radojçiç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore