Përballje

Milan-i sundon Romën, mban hapin me Napoli-n


Ndeshja kryesore e javës në Serie A ishte ajo mes Romës dhe Milan-it në “Olimpico”.

Kuqezinjtë e Pioli-t e vërtetuan që fillim i jashtëzakonshëm i këtij sezoni në ligë nuk është thjesht një rastësi.

Ata jo vetëm që fituan, por bindën me lojë dhe me dominimin e saj.

Milan kishte iniciativën qysh nga fillimi, dhe atë e shndërruan edhe në gola, me një në secilën pjesë.

Ishte Ibrahimovic ai që shënoi në pjesën e parë, për 0-1.

Në të dytën, Ibra gjeti golin përsëri por këtë radhë u anulua për pozicion jashtë loje.

Vetëm shtatë minuta pas anulimit, Milan gjeti golin nga pika e bardhë me Franck Kessie.

Dyfishimi i shifrave dukej si lehtësim për Milan-in, por karton i kuq i Theo Hernandez i detyroi kuqezinjtë që deri në fund të mbronin rezultatin.

Gjashtë minuta shtesë u akorduan, dhe Roma ngjalli një fije shprese në minutën e tretë të shtesës me anë të Stephen El Shaarawy.

Përkundër përpjekjeve, Roma nuk arriti të gjejë një pikë.

Pas 11 javësh, Milan ka dhjetë fitore dhe një barazim, ashtu si Napoli që më herët mposhti me rezultat minimal Salernitana-n.

Kuqezinjtë ndodhën të dytët vetëm për shkak të gol diferencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore