Kosova

Michel: De-përshkallëzimi dhe kthimi në dialog janë thelbësore


Nga takimi i Albin Kurtit me liderët evropianë

“De-përshkallëzimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore”.

Kështu të paktën ka shkruar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në platformën sociale, X, pas takimeve që ai së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministren italiane, Giorgia Meloni e shefin e diplomaciës së BE-së, Josep Borrell, zhvilluan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, këtë të enjte.

“Pres që Këshilli Evropian të diskutojë më tej”, shkroi ai.

Për takimin në fjalë u deklarua edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Në një prononcim para gazetarëve në margjinat e samitit të krerëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), kryeministrja italiane ka thënë se në takimet e ndara që kanë pasur liderët evropianë me dy udhëheqësit ballkanikë, kanë kërkuar nga të dy palët zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

“Në takimin trilateral me Macronin dhe Scholzin ishim të zënë me bisedat rreth një tjetër skenari kritik, atë midis Serbisë dhe Kosovës e jemi duke kërkuar të gjejmë një zgjidhje, mbi bazën e një pune shumë të gjatë që është bërë kryesisht nga Italia, Gjermania, Franca dhe BE-ja”, ka theksuar ajo, para nisjes së punimeve të Këshillit Evropian (KE) në Bruksel.

“Ne kemi kërkuar nga të dy liderët që të bëjnë përparim në marrëveshjet e arritura në vitet dhe muajt e fundit”, ka shtuar ndër të tjera kreu i ekzekutivit italian, kurse kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, por as kancelari Scholz e presidenti Macron, nuk janë deklaruar për media pas takimeve.

“20 minuta secili” – Kurti e Vuçiç përfundojnë takimet me Macron, Scholz e Meloni

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore