Mexhiti: Rruga Tetovë-Prizren do të bëhet, por jo me BDI-në

SHFLETO

Izet Mexhiti

 

Dini Fetahu
16.08.2023 13:17
Loading Icons...

Kryetari i Lëvizjes Demokratike – partia e sapoformuar shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Izet Mexhiti, ka thënë se rruga Tetovë-Prizren do të bëhet, por jo me Bashkimin Demokratik për Integrim – partia që deri së voni ishte nënkryetar i saj – e cila është pjesë e ekzekutivit maqedonas, por edhe partia më e madhe e shqiptarëve atje.

Përmes një postimi në Facebook, Mexhiti tha se projekti i rrugës Tetovë – Prizren, bashkë me tunelin, “është një ide e kamotshme”, duke shtuar se “është një arterie e rëndësishme jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare”.

Deputeti shqiptar në parlamentin maqedonas theksoi se së fundi është aktualizuar shumë, sidomos kulmoi me vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup e Tetovë, “i cili edhe një herë foli për rëndësinë e kësaj rruge që lidh dy qytetet me rëndësi historike”.

“Kjo rrugë gjithsesi do të bëhet, por jo me BDI-në, e cila, gjë që është e pritshme, tenton ta përvetësojë si projekt partiak”.

Ndaj, pohoi ia, “para se të flasin për këtë projekt madhor, të zëshmit e BDI-së, duhet t’i kryejnë ato dy kilometra të rrugës Bllacë – Shkup, që me vite nuk kryhen”.

“Duhet t’i kryejnë punët e tunelit disa dhjetëra metra që me muaj të tërë është bërë makth i vërtetë për ata që marrin rrugën drejt Kosovës apo anasjelltas. Gjithsesi do të duhet t’i sqarojnë edhe skandalet korruptive lidhur me Korridorin 8”.

Sipas tij, partia e Ali Ahmetit “nuk ka të drejtë morale të flasë për projektin Tetovë – Prizren, ndonëse të gjithë e kanë të qartë se do të bëjnë çmos që ta përdorin edhe këtë nismë, sepse të zëshmit e kësaj partie e dinë se zgjedhjet parlamentare janë shumë afër dhe fundi i tyre po kështu është afër”.

“Rruga e vetme e tyre do të jetë ajo që do t’i çojë drejt humbjes…”, beson ai.

 

Ndryshe, Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, këtë të mërkurë ka takuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, kjo disa ditë pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë shtet, përkatësisht në dy komunat me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë – ku takoi vetëm opozitën shqiptare atje, cka edhe u cilësua si përcarje e faktorit politik shqiptar atje.

Aliu dhe Ahmeti në një konferencë për media kanë bërë të ditur se tema kryesore e takimit ka qenë projekti për rrugën Prizren – Tetovë dhe se vizita e ministrit kosovar në Shkup ka qenë kërkesë e drejtpërdrejt e kryeministrit Kurti.

“Vizita është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës me qëllimin më të mirë për vazhdimin e komunikimit. Ashtu siç ka qenë në të kaluarën, ky komunikim dhe ky bashkëpunim të vazhdojë me interes për të dyja vendet tona sepse çdo bashkëpunim dhe forcim i këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit si me Republikën e Kosovës si me Republikën e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë”, ka deklaruar Ahmeti në konferencën e përbashkët për media me Aliun.

Duke komentuar projektin e rrugës Tetovë-Prizren, Ahmeti ka thënë se e njëjta do të sjellë një leverdi të jashtëzakonshme ekonomike për të dyja vendet.

“Rrugët lehtësojnë qarkullimin, qarkullimin mundëson ekonomi më të zhvilluar e përparuar dhe besoj se ekipet ndërqeveritare merren seriozisht dhe aktivisht me këtë çështje që projektimi të mbyllet sa më shpejt e fillimi të ndodhë në kohë sa më të afërt”.

Në anën tjetër Aliu ka bërë të ditur se projekti i rrugës Tetovë – Prizren është në fazën e marrëveshjes financiare.