Kosova

Mësymje e migrantëve kosovarë në BE, të parët në rajon


Ilustrim

Bazuar në shifrat e raportit të fundit vjetor të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), për periudhën 2010-2020 nga shteti i Kosovës kanë kërkuar azil në Bashkimin Evropian (BE) 200 mijë persona.

Këto shifra, në raport me popullsinë aktuale të Kosovës, e bëjnë këtë vend të parin në rajon sa i përket aplikimit për kërkesën për azil në periudhën 2010 – 2020.

Franca është shteti i Bashkimit Evropian (BE) ku kosovarët kanë kërkuar më së shumti azil për vitin 2020. Ajo pasohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen si Gjermania, Italia, Suedia dhe Zvicra.

Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion (DSHAM) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Bazuar në të dhënat e DSHAM-së, me 865 aplikantë në vitin 2020, Franca zë vendin e parë me 57 përqind, të të gjithë aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare, ajo pasohet nga Gjermania me 260 aplikantë, Italia me 95 aplikantë, Suedia me 85  Zvicra me 60 dhe shtetet e tjera me numër nën 4 përqind.

Sa i përket moshës së azilkërkuesve kosovarë, më shumë se 77 përqind e numrit të përgjithshëm të aplikuesve për azil për vitin 2020 ishin nën moshën 35 vjeçare.

“1 mijë e 165 e azilkërkues kosovarë për periudhën 2020, ishin më pak se 35 vjeç. Ata të moshës 18 deri 34 vjeç përbënin 40 përqind e numrit të përgjithshëm të aplikantëve, ndërsa pothuajse një e treta e numrit të përgjithshëm apo 350 aplikues ishin të mitur apo të moshës më pak se 18 vjet”, ka deklaruar për Albanian Post përfaqësuesi i zyrës për komunikim publik në Ministrinë e Punëve të Brendshme .

Sa i përket pyetjes se cilat janë arsyet e numrit kaq të lartë të azilkërkuesve kosovarë, zyra për komunikim në kuadër të MPB-së ka pohuar se vlerësimet e fundit tregojnë se arsyet janë nga më të ndryshmet, por shkaqet ekonomike si dhe papunësia u veçuan si dy më kryesorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore