Kosova

Mehaj: Nuk kemi datë konkrete për largimin e ushtarëve ukrainas nga Kosova


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Pas luftës në Ukrainë është përmendur mundësia që ushtarët e këtij shtetit të cilët shërbejnë në kuadër të Misionit Ndërkombëtar të Paqes, KFOR, në Kosovë të largohen, por ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se nuk ka një datë konkrete për këtë.

I pyetur nga gazetarët, ministri Mehaj ka thënë se Kosova vazhdon të i respektoj nevojat shtetërore të Ukrainës.

“Nuk kemi datë konkrete, KFOR-i ukrainas është në shërbim të KFOR-it, kanë strukturat e veta, ata i kanë nevojat e veta shtetërore dhe ne i respektojmë këto”, deklaroi ai.

Ministria e Mbrojtjes.

Më 8 mars, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, kishte nënshkruar një dekret i cili u bën thirrje forcave ushtarake të cilat janë duke shërbyer jashtë vendit me mision paqeruajtës të kthehen në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.

Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëshefi i Zyrës së Presidentit Andriy Sibiga, i cili e ka publikuar dekretin.

Ukraina ka një numër të ushtarëve që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

“Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka vendosur të thërrasë paqeruajtësit Ukrainës me përvojë të lartë ushtarake nga të gjitha misionet në botë së bashku me pajisjet e tyre për të forcuar ushtrinë ukrainase tani kundër agresionit rus”.

Presidenti ukrainas përveç që ka tërhequr të gjitha trupat e ushtrisë që i ka në misione të ndryshme nëpër botë, ka ftuar edhe njerëzit në mbarë botën që t’i bashkohen në luftë kundër Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore