Kosova

Më përpara themi “Mirupafshim Glauk” sesa “Mirupafshim Dialog”


Ilustrim

Opsioni i braktisjes së procesit të dialogut, i artikuluar së fundmi nga njëri prej tre zyrtarëve më të lartë shtetërorë, Glauk Konjufca, për sociologun dhe analistin politik, Artan Muhaxhirin, nuk është asgjë tjetër përveç një theqafje apokaliptike, e cila do ta zhbënte gjithë progresin e arritur nga Kosova deri më tash.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për media të hënën pas takimit që pati me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka, deklaroi se Kosova mund t’i thotë “mirupafshim” procesit të dialogut me Serbinë nëse i kërkohet një çmim të cilën ajo nuk mund ta paguajë, sepse do t’i shkatërronte dhe minonte themelet e vendit.

Për Muhaxhirin një frazim i tillë i bërë nga kryekuvendari përveç se nuk përkon me realpolitikën është edhe i pamundur për t’u realizuar, pasi sipas tij, më përpara mund të kemi ndryshime qeverish, sesa shkatërrim të procesit dialogues.

Meqë dialogu nuk ka alternativë normale, braktisja, siç po pretendon numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Muhaxhirit do ta izolonte Kosovën ndërkombëtarisht, saqë ajo do të zhdukej nga radari i investimeve të botës së rregullt duke u shndërruar në një “humbëtirë të pashpresë”.

“Faktikisht, dialogu është aq i rëndësishëm saqë asnjë strukturë politike kosovare ose serbe nuk është aq e pushtetshme sa ta bllokojë atë. Më përpara do të kemi ndryshime qeverish, sesa shkatërrim të dialogut. Në dialog është kontribuuar shumë dhe gjatë, gjë që e ka bërë atë metodologji të patejkalueshme për synimin e arritjes së zgjidhjes përfundimtare historike mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri për Albanian Post.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Muhaxhirit, përpos tjerash është edhe proces me rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike dhe gjeopolitike, prandaj ecuria e tij, përfshirë harmonizimet dhe balancimet mes akterëve kryesorë, është e llogaritur në atë mënyrë që të ketë bazë realiste dhe të mos anojë në mënyrë debalancuese drejt ndonjë pale të caktuar.

“Është dëshmuar qartë që konstruktiviteti dhe gatishmëria për kompromise u kanë sjellë palëve dobi, ndërsa destruktiviteti stagnim. Kjo është receta. Nuk është e besueshme që, në këtë stad, bashkësia ndërkombëtare do të vendosë kritere devijuese aq radikale, me të cilat do t’i shkatërrojë investimet e deritashme dhe planifikimet e ardhshme në dialog”, ka shtuar ai për AP.

Artan Muhaxhiri dhe Dritëro Arifi

Se Kosovës nuk i konvenon në asnjë mënyrë e në asnjë fazë ta braktisë dialogun e thotë edhe ligjëruesi i shkencave politike, Dritëro Arifi.

Deklaratat e tilla, si ajo e Konjufcës, sipas Arifit nuk janë serioze dhe nuk i takojnë nivelit të lartë të politikës, meqë ka mënyra dhe kanale të tjera ku mund të shprehen pakënaqësitë.

“Kjo tregon komplet jo-seriozitetin e elitës politike që udhëheqë shtetin. Kosova nuk është shtet i etabluar në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe fuqizimi i saj apo integrimi i saj varet ekskluzivisht nga vendet e Bashkimit Evropian, çdo deklaratë e tillë është joserioze, por pasojat e saj mund të jenë serioze”, ka thënë Arifi për AP.

Logjika e komunitetit ndërkombëtar, thotë Arifi, nuk funksionin në formën “të anojë te njëra palë” apo “ ta dëmtojë palën tjetër”.

“Nëse hipotetikisht Kosova e braktisë dialogun, atëherë mund të themi se shtet-ndërtimi i Kosovës nuk do të qëndrojë në status-quo, por mund të shkojë edhe në regres. Pra kjo mund të vendos shumë pikëpyetje për të ardhmen e këtij vendi”, ka pohuar ai.

Në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën e 2 majit në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Mu për këtë arsye i pari i qeverisë konstatoi se Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, pas propozimit të draftstatutit.

Prandaj, një ditë më pas, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Por, zëri zyrtar i BE-së, Peter Stanos, deklaroi se Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës mund të shpërbëhet vetëm pasi të aprovohet drafti final për Asociacionin duke konstatuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i liruar katër anëtarët nga detyra, përbën shkelje.

“Ekipi menaxhues duhet të qëndrojë derisa statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të adaptohet/aprovohet”, deklaroi Stano.

Këshilltari i Bislimit me mungesë të njohurive bazike për Planin e Zbatimit të Marrëveshjes së Vitit 2013 – nuk e di as çfarë thotë pika 2 për Ekipin Menaxhues të Asociacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore