Mbyllet Manastiri në Banjë të Zveçanit deri më 26 shtator

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit është mbyllur nga e hëna për vizitorë
SHFLETO

Manastiri në Banjë

Altina Marmullaku
23.09.2024 9:30
Loading Icons...

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjë, është mbyllur nga e hëna për vizitorë deri më 26 shtator.

Mbyllja e Manastirit vjen në kohën kur agresioni në Banjë më 24 shtator do të shënoj njëvjetorin – sulm terrorist nga ky i cili humbi jetën rreshteri tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lajmi ishte bërë i ditur nga Dioqeza e Rashkës të enjten.

“Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit njofton opinionin se manastiri i Banjkës do të jetë i mbyllur për vizitorë të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten (23-26 shtator) për arsye sigurie dhe për të ruajtur paqen, e cila aktualisht është e një rëndësie të madhe për manastirin”, thuhej në komunikatë.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup paramilitarësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, kishin sulmuar Policinë e Kosovës.

Ata për një kohë të caktuar kishin qëndruar në Manastirin e Banjës, nga i cili pastaj, një pjesë e tyre, ishin larguar për në Serbi.

Gjatë ngjarjes së Banjës, manastiri kishte pësuar disa dëmtime të vogla, për shkak se terrositët serbë po fshiheshin aty.

Kosova, për këtë sulm, e kishte akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa, duke qenë se terroristët, posaçërisht kreu i tyre Radojiçiç ka lidhje të ngushta dhe është njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar fare nga ky akt terrorist, madje ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar njëzëri në termat më të ashpër këtë akt, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Ndryshe, më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave lidhur me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.