Lajme

Mbrojtësi i Sarajevës, Jovan Divjak, ndërroi jetë


Jovan Divjak, ish gjenerali i ushtrisë boshnjake që mbrojti Sarajevën gjatë një rrethimi 44 mujor të qytetit, ka ndërruar jetë të enjten e tetë prillit në kryeqytetin e Bosnjës në moshën 84 vjeçare.

Ai ishte ndër të paktët serbë etnikë që luftoi për ushtrinë boshnjake gjatë konfliktit shkatërrues ndërkomunal të viteve 90’ që shkatërroi ish Jugosllavinë.

Shoqata e tij, Obrazovanje Gradi BiH, e cila bëri me dije lajmin, tha se vdekja e ish gjeneralit ka ardhur pas një sëmundjeje që e ka munduar atë për një kohë të gjatë.

Në prill të vitit 1992, kur konflikti shpërtheu në Sarajevë, Divjak u bashkua me radhët e atyre që mbronin vendin, i cili ishte i rrethuar për afro katër vjet. Konflikt që la rreth 10 mijë banorë të vrarë në qytet.

Asokohe, roli i tij në luftë nuk u pranua mirë nga serbët, të cilët e konsideronin gjeneralin një tradhtar. Madje, Serbia kërkoi ekstradimin e Divjak-ut për një sulm të vitit 1992 ndaj një autokolone të ushtrisë jugosllave që tërhiqej në Sarajevë.

Mirëpo, ish gjenerali i mohoi me këmbëngulje akuzat duke thënë se urdhëroi ndalimin e pushkatimit. Çka mbështetej edhe nga pamjet televizive të asaj kohe.

“Ishte e natyrshme të isha me ata që u sulmuan, të cilët nuk kishin armë”, është shprehur ai në vitin 2017 duke hedhur poshtë etiketimin “serb i mirë”.

Ai u shpreh asokohe se “ideja e një ushtrie multietnike më fitoi”.

Divjak hoqi dorë nga grada e gjeneralit pas konfliktit dhe iu përkushtua tërësisht shoqatës së tij që ka dhënë mijëra bursa për fëmijët që vinin nga familje të varfra dhe jetimët.

Në vitin 2001, atij ju dha Legjioni i Nderit nga Franca për “sensin e tij qytetar, refuzimin e paragjykimit dhe diskriminimit etnik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore