Kosova

Mbi 1 milionë euro borxhe të vjetra po e rrezikojnë RTK-në


Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini, ka deklaruar se buxheti i transmetuesit publik është duke u rrezikuar nga përmbaruesit për shkak të borxheve që kanë trashëguar.

Boletini, ka thënë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere se borxhet që kanë trashëguar arrijnë vlerën e 1.6 milionë euro.

“Për pagesën e stafit janë shpenzuar mbi tetë milionë euro. RTK është ballafaquar edhe këtë vit me borxhe të vjetra. Në vitin 2024 gjendja është edhe më e keq. Deri më tani i kemi 189 mijë euro të mjeteve që janë tërhequr nga përmbaruesit me vendim të gjykatave”, deklaroi ai para deputetëve.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shumbin Ahmetxhekaj, theksoi se “janë mbi 744 punëtorë të rregullt, sipas tij ky është “numër shumë i madh”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, u shpreh se fokusi i tyre duhet të jetë në cilësi programore, duke thënë se një moment i tillë për RTK-në ka qenë i ditur.

“Unë nuk kam pritur që do të vendosni rregullsi. Brengën e kam pasur, por prapë bazohesha në fjalët e tuaja të mëdha. Sot të vijë drejtori i RTK-së dhe të krenohet me zvogëlimin e kontratave, ndërkohë që ju duhet të na tregoni se sa emisione janë shkurtuar. Fokusi i juaj është cilësia programore e RTK-së”, tha Hoti.

Ai shtoi se “janë përgjysmuar të hyrat dhe se ky bord e ka degraduar këtë institucion”.

Më 9 nëntor, Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që këtë vit të shqyrtohet rritja e buxhetit të RTK-së, në të kundërtën do të protestohet nga punëtorët.

Ndërsa, është pohuar se sindikata për këtë çështje nuk do t`i përjashtojë protestat deri në arritjen e qëllimit për rritje të buxhetit, që edhe ligjërisht i takon RTK-së”, bëhet e ditur në fund.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore