Mbetet në burg ish zëvendës ministri i Shëndetësisë

Klodian Rjepaj akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet në procedurën e koncesionit për sterilizimin
SHFLETO
Klevis Hoxhaj
23.09.2024 13:53
Loading Icons...

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, duke përsëritur vendimin e muajit mars.

Përmes avokatit të tij, Rjepaj kishte kërkuar revokim ose zbutje të masës, e cila u rrëzua nga gjyqtari Florjan Kalaja të hënën e 23 shtatorit.

Gjykata e Lartë nuk e pranoi më herët rekursin e bërë nga Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Së bashku me Marsela Serjanin, Saimir Kadiun, Arben Gjatën dhe Genc Byrazerin, ata ankimuan masat në këtë instancë.

Më herët, SPAK dhe GJKKO dolën me dy kërkesa sa i takon dosjes së shumëpërfolur të sterilizimit.

Së pari, kërkohej akt-ekspertim i kompjuterit, telefonit dhe iPad-it të sekuestruar në banesën e ish-zëvendës ministrit të Shëndetësisë.

Rjepaj u arrestua më 17 gusht dhe akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet në procedurën e koncesionit për sterilizimin.

SPAK kishte vërtetuar më parë se ish-zyrtari kishte pasur njohje me biznesmenin e kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit.

Rjepaj dëshmoi të premten e 20 shtatorit në Komisionin Hetimor lidhur me koncesionin e sterilizimit.

Edhe pse gjendet në qelinë e paraburgimit, nën dyshimin për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, SPAK-u i dha leje ish-zyrtarit që të paraqitej fizikisht në seancë.

Në pyetje do të merren gjithashtu edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit të sterilizimit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini.