Kosova

Maqedonci: Pavarësia e Kosovës e mundësuar nga SHBA-ja, partner i përhershëm i yni


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, teksa ka uruar 248 vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), e ka vlerësuar atë si “partner të përhershëm të Kosovës”.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se revolucioni amerikan padyshim do mbetet në historinë e njerëzimit.

“Si ngjarje që nxiti lëvizjet e mëvonshme anti-kolonialiste, i dha guxim popujve për të vetëvendosur fatin e tyre, e për të zgjedhur llojin e qeverisjes që duan”.

“Pikërisht për efektin zingjiror që pati 4 korriku si ngjarje në luftën për lirinë, të drejtat e barazinë ashtu siç i njohim sot si pararendëse e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut duke mos u kufizuar thjesht brenda territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhe si kontribues direkt në pavarësinë e shteteve tjera si në rastin e Republikës së Kosovës”.

Ai është shprehur se do të jenë gjithmonë falënderues si komb për rolin e pazëvendësueshëm të ShBA-së në arritjet e Kosovës.

“Andaj në këtë ditë i bashkohemi festës së popullit amerikan, partnerit tonë të përhershëm”.

Më 4 korrik të këtij viti është shënuar 248 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore