Kosova

”Made in Kosova” bënë bashkë biznesmenët shqiptarë nga vendi dhe diaspora


Made in Kosova

Këtë të premten në Prishtinë në një Konventë të Biznesit Shqiptar në Diasporë, u bënë bashkë biznesmenët vendor dhe ata nga diaspora.

Fokusi primarë i kësaj konvente ishte rritja e eksportit kosovar në tregun, rajonal, evropian dhe në tregjet e tjera botërore.

Në Konventë u zotuan se produktet “Made in Kosova” duhet promovuar kudo nga bizneset e shqiptarëve në diasporë.

“Ideja është që produktet “Made in Kosova” të gjinden çdo kund në Evropë, përmes bizneseve tona në diasporë”, tha kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës në Austri, Yll Blakaj.

Kërkohet dora e shtetit që të arrihen synimet e dala. Për ndihmën dhe suportin ka premtuar ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Avancim për diplomacinë komerciale u kërkua nga ministrja Hajdari. Ajo premtoi edhe angazhim shtesë të ekspertëve të fushës.

“Kemi shumë punë për të ndërtuar atashetë ekonomike në ambasadat që i kemi në Evropë dhe më gjerë”, deklaroi ajo.

Kërkesë e biznesmenëve vendor dhe atyre nga diaspora shqiptare ishte që zyrtarët të përzgjidhen me kujdes të shtuar, sepse duhet përmirësuar dhe fuqizuar imazhi i Kosovës.

“Na duhet një armatë e tërë e njerëzve, edhe nga sektori privat, edhe nga sektori publik, që të punojmë në branding-un e Kosovës, por edhe t’i lartësojmë produktet Made in Kosova”, tha zëvendësministrja Gashi.

Investimet e huaja në Kosovë prej vitesh kanë rënë si pasoj e mos-stabilitetit politik në vend, andaj në këtë Konventë u veçua se mërgata ka një rol të rëndësishëm edhe në sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore