Lynch: Serbët e duan prezencën e KFOR-it për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës

SHFLETO

Ilustrim

Armat Matoshi
10.09.2024 8:53
Loading Icons...

Lilly Lynch, gazetare që ka raportuar nga rajoni përgjatë dekadës së fundit, derisa ka folur për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se në sytë e serbëve, prezenca e Forcës së NATO-s (KFOR) është një ndër mënyrat për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës.

“Prezenca e NATO-s aktualisht mirëpritet edhe nga komuniteti serb në Kosovë. Kjo për shkak se ata e shohin KFOR-in si mënyrë për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës, por realiteti është se deri në një masë, shqiptarët e Kosovës edhe serbët e Kosovës duan që KFOR-i të qëndrojë në Kosovë”.

“Unë s’e shoh të lartë perspektivën e luftës, por gjithashtu nuk shoh shumë perspektivë që një zgjidhje, ku Kosova do të marrë çfarë dëshiron, qoftë kjo njohje e plotë apo njohje de facto nga Serbia. Unë gjithashtu nuk pres që Serbia të marrë çfarë dëshiron ngase Kosova nuk është pjesë e Serbisë”.

NATO ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe e aleancës në 10 vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon, përkatësisht pas sulmit të armatosur serb më 24 shtator 2023 në pjesën veriore të Kosovës.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën. Ne kemi një prezencë të dukshme, fleksibile dhe të përshtatshme, që na mundëson të trajtojmë çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në mënyrë efektive”, ka deklaruar KFOR-i në një ndër komunikatat e publikuara së fundi rreth situatës së sigurisë.

Ndryshe, përkundër se situata në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, ende prceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Gjithashtu, misioni i KFOR-it ka trefishuar numrin e patrullave përgjatë kufirit.