Kosova

Lirohet për qarkullim rruga Prizren-Prevallë


Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se rruga Prizren-Prevallë e cila ishte bllokuar pas rrëshqitjeve të dheut është liruar për qarkullim të veturave.

Por, Ministria ka bërë thirrje tek ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar kur lëvizin në këtë terren.

“Ju informojmë se në rrugën Prizren – Prevallë, në kilometrin e gjashtë ku pati rrëshqitje të materialit erodues nga masivi shkëmbor në pjesën e sipërme të saj, dhe për pasojë bllokimin e kësaj rruge që nga mbrëmë pas ores 18.00 e deri me tani është bërë zhbllokimi i këtij aksi rrugor dhe trafiku mund te zhvillohet sikurse më parë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

“Bazuar në konfiguracionin e terrenit ku shtrihet kjo rrugë, bëjmë thirrje tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar në të gjithë gjatësinë e saj, pra nga Prizreni deri në Prevallë. Kujdes duhet të bëhet nga ndonjë rënie eventuale e gurëve”.

Në vend të ngjarjes më 12 dhjetor, pati dalë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

“Pas rrëshqitjes se dheut mes dy tuneleve në rrugën Prizren – Reçan, isha në vend të ngjarjes. Nga personat kompetent, policia dhe ministria kompetencë e së cilës është përkujdesja për rrugën u informova se për fat të mirë nuk kishte të lënduar”, pati shkruar në Facebook Totaj.

“Rruga për shkaqe sigurie është përkohësisht e mbyllur. Ofrova ndihmën e Komunës së Prizrenit po që se kontraktorët e Ministrisë nuk mund të arrijnë me kohë dhe paraqitet nevoja për reagim të shpejtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore