Sport

Leclerc fiton çmimin e madh në Monza dhe kthen Ferrarin në lojë


Një flamur i valëvitur nga legjenda e futbollit italian, Alessandro Del Piero, pa pilotin e Ferrarit vendas, Charles Leclerc, të kalonte i pari finishin në çmimin e madh të Monzës, duke e kthyer kështu skuderinë e kuqe në majën e renditjes.

Një garë tepër e vuajtur për monegaskun, të cilit iu desh të përshkruante një numër të paimagjinueshëm xhirosh me të njëjtin set gomash, por që strategjia me një pit-stop ia shpërbleu durimin dhe pilotimin në fund.

McLaren ishte dukshëm makina që kishte epërsinë në fundjavën e Monzës, por jo gjithmonë më të shpejtit fitojnë, pasi duke gabuar llogaritë që në fillim me pit-stopin e parë të pallogaritur mirë, Oscar Piastri dhe Lando Norris, arritën të kapin podin, por jo vendin më të lartë.

Ferrari i Carlos Sainz u radhit i katërti, po me të njëjtën strategji me Leclerc, por spanjolli nuk mundi t’i mbajë pas furitë e McLaren, të cilët arritën ta kapin në xhirot e fundit.

Renditja vijon më tej me një vend të pestë tepër të nderuar për Lewis Hamilton. Ndërsa, kampioni në fuqi i botës, Max Verstappen, zhgënjen sërish, duke arritur vetëm vendin e gjashtë.

George Russell dhe Sergio Perez vijojnë renditjen më tej dhe dhjetëshen e parë e mbyllin Alex Albon me Williams dhe Kevin Magnussen me Haas.

Shumë interesante ndërkaq bëhet gara si për pilotë, ashtu edhe për konstruktorët.

Në të parën, Verstappen vijon të kryesojë kampionatin me 303 pikë, por diferenca zvogëlohet me Norris, i cili ndjek me 240. Leclerc është i treti me 217 pikë.

Për konstruktorë, Red Bull udhëheq me 446 pikë, vetëm 9 pikë më shumë se McLaren-i i vendit të dytë, me 437.

Ndërsa, Ferrari, me fitoren e sotme të Leclerc dhe renditjen e mirë të Sains, afrohet në 407 pikë, duke e kthyer kështu në garën më të afërt për konstruktorë në kujtesën e vonë, pas një hegjemonie të vërtetë të Red Bull në sezonet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore