Kosova

Lajçak takon Sekretarin e Shtetit të Spanjës, diskutojnë mbi procesin e dialogut  


Fernando Mariano Sampedro Marcos dhe Miroslav Lajçak

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të enjten, ka njoftuar se ka takuar Sekretarin e Shtetit të Spanjës për BE-në, Fernando Mariano Sampedro Marcos, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror dhe Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Lajçak ka njoftuar se me Marcos ndër të tjera ka diskutuar edhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Vazhdova konsultimet e mia të rregullta me shtetet anëtare të BE-së. Ne patëm një diskutim të gjerë dhe të dobishëm rreth Dialogut dhe çështjeve më të gjera të Ballkanit Perëndimor”, ka njoftuar ai.

Pas rreth 7 orë takime bilaterale e trelaterale, bisedimet në nivel kryenegociatorësh, të martën, përfunduan pa ndonjë rezultat konkretë.

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, më 2 korrik priti fillimisht në takime të ndara për të kaluar më pastaj në një takim final trelateral, Bisnik Bislimin e Petar Petkoviç-in.

Kryenegociatori i palës kosovare pranoi ta takoi kryenegociatorin e palës serbe, përkundër se tri kushtet e parashtruara nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit – vetëm para shtatë dite – nuk u plotësuan.

Bislimi, në një prononcim për media pas takimit, u shpreh i dëshpëruar që Serbia nuk ka qenë e interesuar të diskutojë për finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, gjë që sipas tij, ishte “pika e vetme e agjendës së takimit trelateral”.

Paçka, Bislimi, tha se Serbia kishte udhëtuar për në kryeqendrën evropiane me një qëllim të vetëm – për të insistuar në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviç nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi pas takimi dy orësh.

Se Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin e konfirmoi edhe vetë, Petkoviç.

“Është e nevojshme që Kosova ta pranojë draft-statutin e hartuar nga BE-ja. Beogradi tha se është i gatshëm të diskutojë atë statut, Bislimi refuzoi”, ka thënë ai, raportuan mediat serbe.

Një refuzim i tillë, siç pretendon ai, tregon qartë se Kosova nuk dëshiron të formojë këtë mekanizëm “që është çështje kyçe për mbijetesën e serbëve dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.

Ndërkohë nga takimi si më optimisti doli diplomati sllovak.

Sipas tij Kosova dhe Serbia, në Bruksel të martën, kanë “rënë dakord për një sërë hapash që do të ndërmerren në vijim”, pa dhënë detaje shtesë se cilat janë ato hapa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore