Përballje

La Liga/ Real Madrid luan për shkëputje, Barcelona për Evropën


Java e 22-të e La Liga-s vazhdon të dielën me pesë ndeshje tjera.

Në fushë sot zbresin dy gjigantët e futbollit spanjoll, Real Madrid dhe Barcelona.

E shtuna dhuroi shumë spektakël, me Celta Vigo-n që e ndali Sevilla-n dhe Atletico Madrid që arriti një rikthim madhështor përballë Valencia-s.

Nga gabimi i Sevilla-s do të tentojë të përfitojë Real Madrid-i, kurse Barcelona do tentojë të mbajë hapin me Atletico-n.

Të parët luajnë pikërisht madrilenët, të cilët kthehen në “Santiago Bernabeu”.

Aty, ata presin kundërshtarin e mesjavës, Elche-n, të cilët i mundën 1-2 në kuadër të Kupës së Mbretit.

Madrilenët po kalojnë një formë shumë të mirë, me pesë fitore radhazi nga të cilat fituan edhe trofeun e Superkupës së Spanjës.

Sot, ata do të tentojnë që të vazhdojnë këtë formë duke rritur diferencën nga Sevilla në krye me gjashtë pikë.

Ndeshja fillon në orën 16:15, me Real Madrid-in që luan ndeshjen e parë në mesditë këtë edicion si vendas.

Më vonë, Barcelona luan në “Mendizorroza”, në fushën e Alaves-it që po lufton për mbijetesë.

Të dy skuadrat nuk po kalojnë formë aspak të mirë.

Barcelona në dy ndeshjet e fundit është eliminuar nga dy kompeticione, derisa fitoren e fundit e ka më 2 janar.

Në anën tjetër, Alaves nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit, me dy barazime dhe tri humbje.

Ndeshja mes këtyre dy skuadrave fillon në orën 21:00, me të dy skuadrat që kanë vetëm një synim – fitoren për këndelljen.

Përveç dy gjigantëve, në program në La Liga gjatë ditës së sotme janë edhe tri ndeshje.

Granada – Osasuna, 14:00

Rayo Vallecano – Athletic Club, 18:30

Real Sociedad – Getafe, 18:30

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore