Kuvendi mban seancë plenare të enjten

Në rend të ditës janë në shqyrtim pikat nga seancat e kaluara
SHFLETO
Valon Rashiti
23.09.2024 13:16
Loading Icons...

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 26 shtator, ndërsa në rend të ditës janë në shqyrtim pikat nga seancat e kaluara, ku përfshihen edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Kështu ka njoftuar në një konferencë për media shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“U dakorduam që te vazhdojë një seancë më 26 shtator me pikat e papërfunduara. Janë tri marrëveshje ndërkombëtare, 28 pika për shqyrtim”, tha ajo para gazetarëve.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se do të kërkojnë në seancat e radhës shkarkimin e bordit të RTK-së.

Ai kritikoi edhe qeverinë për izolim të Kosovës, teksa ka theksuar se kryeministri Albin Kurti tashmë e ka humbur edhe kredibilitetin.

“Do të isha i lumtur nëse do t’i listonim disa prej sukseseve si në ekomomik, siguri dhe si në bashkëpunimin ndërkombëtar. Nuk mundemi me gjet asgjë fatkeqësisht, ne lutemi në momentin e fundit që këto sanksione të mos rriten”, potencoi Tahiri.

Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se do të duhet shumë kohë që vendi të largohet nga kjo “lista e zezë”.

“Kosova është në listën e zezë, në secilën listë të BE-së, në secilën listë në arenën ndërkombëtare, në secilën iniciativë tek amerikanët dhe në secilën listë rajonale”, tha Tahiri.

Ai ka potencuar se vendi është nën sanksione nga BE-ja, derisa ka shtuar se “ju them me keqardhje që ka pak ka optimizëm që do të hiqen këto masa”.