Kosova

Kurti: Zvicra për 16 vjet ka investuar 1.1 miliardë euro në Kosovë


Albin Kurti dhe njëri nga anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, të martën ka zhvilluar një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.

Gjatë takimit, siç njofton Zyra e Kryeministrit, është diskutuar për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual.

Sipas Kurtit, Zvicra mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023.

“Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës”, citohet të ketë thënë Kurti.

Gjatë bisedës, siç thuhet në komunikatë për media, është nënvizuar poashtu që deri më tani, Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, 6 nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.

Dhoma Ekonomike Zvicër-Kosovë është themeluar në vitin 2013 dhe luan rol kyç në nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve ndërmjet dy vendeve tona, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për kompanitë në aktivitetet e tyre komerciale dhe duke vepruar si një katalizator për zhvillimin ekonomik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore