Kosova

Kurti, Vuçiç-it në Kotor: Dorëzojeni Radojiçiç-in


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë kryekriminelin Milan Radojiçiç, dhe paramilitarët e tjerë serbë që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

Këtë, Kurti e ka bërë nga Kotori i Malit të Zi në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku prezent ka qenë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radojçiç-in në Kosovë dhe grupin e tij paramilitarë që kanë vrarë rreshterin Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar”, tha Kurti në fjalën e tij.

Ai theksoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon “me njohje de facto dhe jure janë të domosdoshme për paqe, siguri dhe integrim”.

Ndryshe, kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Vuçiç – së bashku me një grup paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, pasi që personat që morën përgjegjësinë kanë lidhje të ngushta me regjimin në Serbi.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpoli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore