Kosova

Kurti: Ushtria e Kosovës s’ka qenë kurrë më e fuqishme dhe më e gatshme


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në prag të parakalimit të Forcës së Sigurisë (FSK) për nder të 25-vjetorit të çlirimit, deklaroi se ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe, më e armatosur dhe më e përgatitur sesa sot, derisa përmedi rekrutët e rinj e sistemet e reja.

“Parakalimi juaj sot këtu, në sheshet qendrore të Prishtinës, na mbushë me krenari dhe na jep ndjenja sigurie. Sot, ritmi i hapave tuaj, zhurmës së çizmeve që i keni mbathur, na kthen në ritmin e zemrave tona, neve që ju shohim me kaq admirin e nderim…”, theksoi kreu i ekzekutivit.

“Ushtria e Kosovës s’ka qenë kurrë më e madhe dhe më e mirëarmatosur e pajisur. Ajo kurrë s’ka qenë më e stërvitur, trajnuar e shkolluar në akademitë më prestigjioze ushtarake të ushtrive mike perëndimore. Por edhe kurrë s’ka qenë më e fuqishme dhe më e gatshme për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin tonë. Ky është misioni i saj – mbrojtja e Kosovës”, shtoi ai.

E në parakalimin e njësive të FSK-së dhe Policisë së Kosovës do të ekspozohen sisteme armatimi që deri më tash nuk janë ekspozuar në publik. Në dispozicion të FSK-së, përveç sisitemit të fuqishëm turk Omtas për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara e dronëve luftarak Bayraktar, pritet të jetë edhe sistemi sensacional amerikan Javelin.

Kosova sot e shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës – atëherë kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache-t” amerikanë përmbi qiell, në kuadër të trupave paqeruajtëse të NATO-s, filluan marshimin në Kosovë pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore