Kosova

Kurti u drejtohet serbëve të Kosovës për dinarin, akuzon ish-pushtetet për bashkëpunim me bandat kriminale


Albin Kurti

Në një adresim 8-minutësh në gjuhën serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të hapin llogari të reja bankare në euro për shkak të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), derisa akuzoi qeveritë e kaluara se e kanë lënë popullin pa përkujdesje e nën ekspozimin e bandave krimanale në pjesën veriore të vendit.

“Lufta, dhe më pas politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit, lanë pas popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj organizatave dhe bandave kriminale, derisa kujdeseshin për jetën luksoze të tyre dhe atyre që bashkëpunuan me ta”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar nëpërmjet një video-adresimi në gjuhën serbe të dielën pasdite.

Ai theksoi sërish se rregullorja e BQK-së për pagesat me para të gatshme që hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti nuk i referohet ndalimit të dinarit serb, porse synon të formalizojë pagesat dhe procedurat lidhur me dinarin, ndërsa garantoi se rregullorja e BQK-së nuk e ndalon Serbinë që të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë.

“Çdo sugjerim për të kundërtën është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike. Rregullorja e BQK-së siguron ligjshmërinë dhe transparencën e parave të importuara në Kosovë, bazuar në kushtetutën dhe politikën monetare të Bashkimit Evropian (BE)”, potencoi kryeministri Kurti, duke udhëzuar qytetarët serbë të hapin llogari bankare në euro.

Kosova dhe Serbia përplasen për dinarin në debatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

“Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro”, shtoi ndër të tjera numri një i Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti pohoi se deri tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufjve midis Kosovës dhe Serbisë u mundësonte grupeve kriminale që operojnë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë  serbe të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët.

“Krimi duhet mposhtur, duhet të ndalet pastrimi i parave dhe pasurimi i paligjshëm me qëllimin e lehtësimit të financimit të terroristëve dhe pengimit të paqes. BQK-ja i ka ofruar lehtësime për konvertimin e dinarëve në euro Bankës Popullore të Serbisë. BQK-ja ka siguruar hapjen e llogarive bankare në euro për ata që ende nuk e kanë bërë këtë, pa pagesë”.

Ai përmendi faktin se më shumë se 33 mijë pjesëtarë të komunitetit serb marrin pensione nga Kosova, rreth 2205 familje marrin ndihmë sociale, rreth 4244 familje marrin ndihmë për fëmijë dhe 1372 familje marrin ndihmë për gratë lehona dhe nënat me fëmijë – gjithçka, sipas kreut të ekzekutivit kosovar, bëhet përmes llogarisë bankare të hapur në euro.

“Përmes tyre mund të merret edhe ndihma për komunitetin serb, e dërguar nga qeveria e Beogradit, e pranuar në euro dhe e regjistruar përmes llogarisë bankare për hir të transparencës dhe vendosjes së ligjshmërisë. Në këtë mënyrë, shuma e parave të dërguara nga Beogradi do të përputhet saktësisht me paratë që do të merrni në Kosovë”, potencoi mes tjerash.

Në fund siguroi qytetarët nga radhët e komunitet serb që përmes fushatave informuse dhe lehtësuese, periudha trazitore për çështjen e dinarit të jetë sa më e lehtë, megjithëse shtoi se gjëja më e rëndësishme është të kuptohet dhe besohet se vendosja e shtetit ligjor është e pashmangshme, ndërsa dërgimi i parave përmes transaksioneve bankare është i pakompromis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore