Kosova

Kurti takon zëvendësministrin grek: Greqia e interesuar të bashkëpunojë në fushën e ekonomisë


Albin Kurti dhe Kostas Fragogiannis

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën e 13 prillit ka pritur në takim Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme për Diplomaci Ekonomike të Greqisë, Kostas Fragogiannis, ku me ç’rast ky i fundit ka theksuar vullnetin për avancim të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Greqisë.

“Zëvendësministri Fragogiannis shprehu interesim për bashkëpunim me theks në investime ekonomike, në kulturë dhe fushën e arsimit dhe aftësimit profesional”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

“U bisedua për mundësitë e bashkëpunimit nga i cili do të mund të përfitojnë qytetarët e të dy vendeve. U veçuan mundësitë në sektorët e përpunimit të drurit dhe metaleve, si dhe në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit”.

Kurti raportohet të ketë thënë se zëvendësministrin grek e ka njoftuar për progresin e konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik në një vit qeverisje.

“Kurti ka veçuar rritjen ekonomike prej 10,53%, që është më e larta në rajon, njëherit më e larta në Kosovën e pavarur. Duke folur për masat e reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga të cilat do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies sociale”, vazhdon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore