Kurti takon Drejtoreshën Menaxheuse të FMN-së, flasin për mundësitë e reja të bashkëpunimit

Kryeministri Kurti e ka falënderuar Drejtoreshën Menaxhuese të FMN-së për mbështetjen ndaj Kosovës.
SHFLETO

Foto: Zyra e Kryeministrit

 

Dini Fetahu
25.09.2024 21:39
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), është takuar me Drejtoreshën Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e FMN-së ndaj Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, të cilët kanë njoftuar se takimi është zhvilluar në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës atje.

“Në diskutim e sipër në lidhje me performancën ekonomike të viteve të fundit, kryeministri Kurti fillimisht e falënderoi Georgieva për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale dhe zbatimin e reformave të rëndësishme ekonomike”, thuhet në njoftim.

Bëhet me dije se është diskutuar edhe rreth zbatimit të programeve që Kosova ka me FMN-në, “ku u veçua progresi i mirë i programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (Resilience and Sustainablity Facility) përmes të cilit Kosovës i është mundësuar rritja e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme, ndërkohë që u theksua përkushtimi për zbatimin e plotë edhe të programit të Aranzhimit për Gatishmëri (Stand by Arrangement)”.

Nga ana tjetër, siç citohet nga kryeministria, Georgieva e uroi Kosovën “për rezultatet dhe suksesin e arritur në qëndrueshmërinë fiskale, si dhe për zbatimin me sukses të programeve aktuale të IMF”.

“Ajo theksoi që rezultatet e Kosovës në menaxhimin e borxhit publik mund të shërbejnë si shembull edhe për ekonomitë tjera”, thuhet tutje.

Gjatë bashkëbisedimit, gjithashtu është diskutuar edhe rreth mundësive të reja të bashkëpunimit në përmbushjen e agjendës së reformave ekonomike, realizmin e investimeve në infrastrukturë dhe energji, përmirësimin e klimës investimeve dhe avancimin e mjedisit për të bërë biznes.

Në takim, bashkë me kryeministrin ishte edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.