Lajme

Kurti: Qeveria këtë vit planifikon reformën e sistemit pensional


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria e udhëhequr prej tij është duke planifikuar që gjatë këtij viti të bëjë reformën e sistemit pensional.

“Këtë vit planifikojmë të fillojmë edhe reformën e sistemit pensional, që të sigurojmë sistem të drejtë dhe pension të dinjitetshëm për secilin pensionist që ka dhënë kontribut për vendin tone”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri tutje ka sqaruar edhe vendimin e marrë nga ekzekutivi, të mërkurën e 12 janarit.

“Me vendimin e djeshëm të Qeverisë janë rritur pensionet ashtu që të mos kemi asnjë të tillë nën 100 euro”.

“Kësisoj, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%. E dimë që jemi larg mirëqenies por duam që me rritjen aktuale ekonomike të ndihmojmë shtresat sociale që kanë më së shumti nevojë”.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që një nga masat e Pakos së Ringjalljes që të mos ketë pensione nën 100, euro të kthehet në qëndrim të përhershëm.

Në mbledhjen e të martës, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se më s’do të ketë pensione nga 90 euro për ato bazike, 75 euro për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, 90 euro për pensionet familjare e nga 90 euro për rastet invalidore të punës.

Tashmë sipas ministrit, “shuma minimale që do të jepet në formë pensioni është 100 euro”.

Qeveria ka përkrahur edhe kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim deri më 31 gusht 2022.

Më 27 nëntor, ekzekutivi ka marr vendim që t’iu ndajë nga 100 euro të gjithë pensionistëve për muajin nëntor.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ndarë 30 milionë euro për të ju dalë në ndihmë përfituesve të skemës pensionale.

Numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 191 mijë e 257.

Prej tyre, 142 mijë e 92 janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 90 euro në muaj. Ndërsa, 49 mijë e 165 janë kontributpagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 170 deri në 260 euro në muaj, në bazë të përgatitjes shkollore.

Ndryshe, rritje të pensioneve ka pasur herë pas herë. Fillimisht shuma e pensioneve ka qenë 45 euro në muaj për personat mbi 65 vjeç, kurse ata që kanë paguar kontributet kanë marrë 85 euro në muaj.

Më pas janë rritur në 60, respektivisht 112 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore