Kosova

Kurti pas rritjes së çmimit të rrymës: Do t’i mbështesim familjet veçanërisht ato me asistencë sociale


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

Pas rritjes sërish të çmimit të energjisë elektrike, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka premtuar se do të mbështet qytetarët përmes subvencionimit.

Kurti, ka sqaruar se subvencionim do të përfitojnë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kWh në muaj, ndërsa grupet e cenueshme do të kenë trajtim të veçantë.

“Mbështetja jonë ndaj qytetarëve do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë në muaj, kurse grupet e cenueshme siç janë familjet në asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është ulur edhe konsumi i energjisë përmes efiçientëve.

“E me rreth 9 milionë euro kemi rinovuar e bërë efiçiente në 70 ndërtesa publike. Shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikëseve, duke e rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë”.

Pas dimrit, Kurti tha se rezultatet do të dallohen tani.

“Gjatë dimrit që tashmë po e lëmë pas kemi parë rezultate të menjëhershme të këtyre masave të cilat i kemi ndërmarrë si qeveri, falë mbështetjes së bashkëpunimit me Bashkimin Evropian këto masa të dëshmuara po e shumëfishojnë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë”.

Paralajmërimet e rritjes së energjisë elektrike kanë ngjallur shqetësimin për një krizë të re në Kosovë.

Pos rritjes së çmimeve në të gjitha produktet, rritjen e tatimit, tani ka rritje të sërishme të energjisë.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1 mijë e 300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Nga muaji shtator i vitit 2022, Qeveria e Kosovës, i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, kishte thënë se nga këto subvencione, kanë përfituar mbi 200 mijë familje.

Kurse nga ekzekutivi ishte bërë thirrje që nga viti 2022 ndaj qytetarëve që ta kursejnë rrymën, për shkak të krizës globale energjetike, të cilën e ka thelluar lufta e Rusisë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore