Kosova

Kurti në Trepçë, premton investime milionëshe


Kryeministri Kurti në konferencë për media pas vizitës në ndërmarrjen "Trepça"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në ndërmarrjen Trepça ia ka ofruar mbështetjen e Qeverisë ushtruesit të detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrje, Enis Abdurrahmani.

Vizita e kryeministrit ka ardhur pas sulmit fizik që pësoi Enis Abdurrahmani të hënën në vendin e punës, për çka të dyshuar janë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje, madje ka edhe të arrestuar.

Në një konferencë për media pas vizitës që i bënë “Trepçës”, Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë premtuar investime shumë milionëshe në ndërmarrje.

Kurti nuk ka mundur të mos merret me incidentin e fundit në Trepçë gjë që kjo është edhe arsyeja e vizitës urgjente në këtë ndërmarrje.

“U njoftova hollësisht mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Trepçë. Na vjen keq se çfarë ka ndodhur. Sulm i organizuar i dhunshëm mbi udhëheqjen. E dënojmë ashpër këtë sulm të tillë që është i drejtuar kundër Trepçës dhe s’është në të mirë të Kosovës. Zotohem si kryeministër se s’do të ketë as individë e as grup më të fuqishëm se shteti”.

“Ata që synojnë të jenë më të fuqishëm, bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë. Jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së kryeshefit është Enis Abdurrahmani dhe e ka mbështetjen time të plotë bashkë me Bahriun që është kryesues i Bordit këtu”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se këshilli grevist ia ka vështirësua punën pasi që ata kanë kërkuar nga ai të tërhiqet deklarata nga policia që ka bërë kryesuesi i ndërmarrjes.

Kurti ka deklaruar se në qeverinë e tij nuk tërhiqen deklaratat nga policia nëse ka ndodh një gjë e tillë në të kaluarën, tani më nuk do të ndodh.

Terminali do të kthehet në hapësirat e Trepçës, kjo është e pa kthyeshme sepse është interes i shtetit.

Nuk është interes i Qeverisë që ndërmarrja të udhëhiqet nga Ushtruesit e detyrës. Ai ka thënë se duhet një udhëheqje stabile se vetëm ashtu përparon ndërmarrja.

Kurti ka thënë se Qeveria brenda një viti ka dhënë shtatë milion euro për zhvillim dhe për paga të punëtorëve.

Kurti në fjalën e tij para mediave gjithashtu ka thënë se ka pranuar informata se në Trepçë ka pasur prodhim të madh me nxjerrje të 20 mijë ton të xeheve.

“Është lajm i mirë për Trepçën që çmimet e metaleve janë ngritur. Plumbit e zinkut të larta si rrallëherë. Mbi 3500 dollarë për ton zinku dhe 2500 dollarë për ton plumbi. Jemi të lumtur që kur ishim në qeverisje pranverën e kaluar e kemi dëshmuar edhe te udhëheqja edhe te punëtorët se jemi të interesuar për Trepçën. E kemi bërë konkretisht e materialisht”.

“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë 70 milionë euro për investime në Trepçë për vitet 2022-2023. Projekti për Fondin Sovran e ka vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik Trepçën”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me Bordin e Trepçës lidhur me zhvillimet e fundit.

Ajo ka deklaruar se janë duke punuar që në të ardhmen të diskutohet për zhvillimin e ndërmarrjes e jo për incidentet.

Kurse përfaqësuesi i Trepçës ka thënë se menaxhmenti i ndërmarrjes është i përkushtuar në zhvillimin e kësaj ndërmarrje. Ai ka falënderuar qeverinë e Kosovës për mbështetjen e ndërmarrjes.

Por çfarë kishte ndodhur në ndërmarrjen Trepça?

Paraditen e së hënës të 18 tetorit, në hapësirat e administratës së Ndërmarrjes Publike “Trepça” një grup njerëzish u futën në mënyrë demonstrative.

Ata ishin punonjës të ndërmarrjes të cilët po kundërshtonin emërimin e ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Fillimisht ata kanë sulmuar Enis Abdurrahmani, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Trepçë”.

Për mediat Abdurrahmani ka bërë të ditur se është sulmuar fizikisht në prezencë të Policisë, pastaj është sulmuar edhe drejtori i Administratës, Besim Haxhiu.

Enis Abdurrahmani, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Trepçë”

Policia e Kosovës lidhur me këtë rast, ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona në Mitrovicë.

Ndërsa, pas procedurave të nevojshme intervistuese, tre të dyshuarit R.I., 50 vjeç, Sh.R., 40 vjeç dhe B.I., 37 vjeç janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale lëndim i lehtë trupor, sulm dhe pengim zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore