Kosova

Kurti lavdëron punën e Atiqit në Veri


Foto nga Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e së enjtes është takuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe nënkryetaren Katarina Adançiç si dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune  të cilët i ka përgëzuar për punën e bërë në këtë komunë.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit dërguar mediave thuhet se deri tani janë regjistruar mbi 80 biznese në Veri.

“Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Biznese ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut”, thuhet në komunikatë për media.

Ndërsa është thënë se gjatë takimit u diskutua edhe rreth mundësive për bashkëpunime të reja përfshirë ato ndërmjet komunave në Veri të vendit dhe për projekte të reja.

“Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë, pa dallim, për përbërjen multietnike të kabinetit qeverisës dhe për bashkëpunimin e mirë e profesional me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës”.

Kreu i ekzekutivit i ka ofruar kryetarit dhe nënkryetares së Veriut, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre.

Më 30 gusht, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur pesë institucione paralale ilegale të vetëqeverisjes lokale në Veri, të cilat sipas tij kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë.

Ky veprim ishte kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore