Kurti lavdërohet në Itali për “progresin” e qeverisjes së tij

Kurti takon mërgatën në Itali
SHFLETO

Foto nga Zyra e Kryeministrit

Sahide Brati
23.09.2024 10:58
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të tij të dielën, në Venecia të Italisë me përfaqësues të shoqatave të diasporës, është lavdëruar për “progresin” e qeverisjes së tij dhe rritjen ekonomike.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, u diskutua edhe për mërgatën “si urë ekonomike dhe kulturore ndërmjet shtetit të Kosovës e kombit shqiptar me Italinë dhe popullin italian”.

“Në bashkëbisedimin e tyre, u diskutua mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit dhe perspektiva për avancim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik dhe investimeve por edhe të mirëqenies sociale”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë theksohet se kreu i ekzekutivit “radhiti indikatorët pozitivë dhe premtues ekonomik, përmendi ndër të tjera rritjen mesatare ekonomike 6.2%, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, krijimin dhe shtimin e vendeve të reja të punës veçanërisht me fokus në punësimin e të rinjve dhe grave dhe rritjen e qarkullimit të bizneseve”.

Kurti, pohoi se si Qeveri janë përkujdesur që zhvillimi ekonomik të shpërndahet te të gjithë qytetarët pa dallim, përmes masave të ndryshme ekonomike të ndërmarra, për të ndihmuar nënat, studentët e familjet, por edhe tejkalimin e krizave globale.

Përveç kësaj, bëhet me dije se Kurti theksoi disa iniciativa të ndërmarra për diasporën.

“Duke shprehur vëmendjen e Qeverisë ndaj diasporës dhe kontributin ekonomik madhor të saj për vendin përmes investimeve në Kosovë dhe punës në programe të ndryshme, kryeministri theksoi dhe iniciativat e ndërmarra nga Qeveria për diasporën, si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri, siç citohet nga kryeministria falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për takimin dhe bashkëbisedimin e ngrohtë.

Kurti, në këtë takim shoqërohej nga Ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala dhe Konsulli i Përgjithshëm në Milano, Diamant Kastrati.