Kosova

Kurti kujton premtimet që s’i mbajtën


Foto: Albanian Post.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është lavdëruar se Qeveria që e drejton po e lufton korrupsionin edhe pse më herët u raportua se Task-forca antikorrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të kësaj Qeverie.

“Në shkurt të vitit 2021, para gati tre vjetëve e gjysmë premtuam qeverisje ndryshe, patëm premtuar një qeverisje të pa korruptuar, të drejt, të mirë, e demokratike. Patëm premtuar politika të mirëmenduara të cilat do të ndryshojnë imazhin, por edhe trajektoren e zhvillimit ekonomik të vendit. Për realizimin e këtyre premtimeve, mërgatën e kemi pasur fakt kyç”, ka thënë Kurti në fjalën e tij gjatë pjesëmarrjes së tij në lansimin e “Dritares për Investime të Diasporës”.

Kurse, aktualisht nën hetime ose në procedura gjyqësore janë dy ministra të kësaj qeverisje.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nën hetime akuza për mosdeklarim të pasurisë, ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

Hajdari, po ashtu është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

Në gusht të 2023-së edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ishte dënuar me 500 euro gjobë pasi është shpallur fajtore se ka deklaruar me vonesë pasurinë.

Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishin deklaruar se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021.

E edhe rastit të ish-shefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua vitin e kaluar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Përveç ministrave, edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili aktualisht është subjekt i hetimit të Prokurorisë së Kosovës për shmangie tatimi dhe shpëlarje të parave.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën – i publikuar më 22 prilli kishte thënë se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar – në fushën të titulluar “Korrupsioni në Qeveri” kishte përmendur edhe vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë, e cila shpalli fajtore ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari, për mos-deklarim të pasurisë.

Raporti për Kosovën e DASH-it, përveç Hajdarit, në po të njëjtën fushë ka përmendur edhe shpalljen fajtore të zëvendësministres së Punëve të Jashtme, Liza Gashi, për mos-deklarim të pasurisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Organizata ndërkombëtare, Freedom House, vlerësoi gjithashtu në raportin e sivjetmë se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet çështje shqetësuese.

DASH ngre alarmin për gjyqësorin, pavarësinë e medias dhe korrupsionin në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore