Kurti konfirmon strehimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë

SHFLETO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,

 

Altina Marmullaku
01.03.2022 18:53
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se Qeveria ka marrë vendim që t’i strehojë 20 gazetarë ukrainas në vendin tonë.

Kurti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’.

“Ata u detyruan të lënë vendlindjen e tyre pas pushtimit të Rusisë. Në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainës dhe popullin e tyre, në bashkëpunim me Federatën Evropiane e Gazetarëve dhe Qendrën Evropiane për Liri të Medias, do t’u mundësojmë që të bashkëpunojnë në distancë”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, kjo është bërë e ditur nga një dokument qeveritar i siguruar nga Reuters, të martën e 1 marsit.

Bazuar në këtë dokument thuhet se përparësi do t’u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Ndërsa, sqarohet se Qeveria fillimisht do të ndajë 150 mijë euro për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Një gazetar që raportonte sulmet në Kiev.

Mirëpo, në dokument nuk ka pasur të dhëna se kur do të mbërrinin gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e Bashkimit Evropian, “por i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, shkruan Reuters.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.