Shqipëria

8 marsi i gruas apo i nënës?


Shqipëria mbetet një vend i kapur në kultura të ndryshme që kanë qarkulluar në Evropë e më tej. Ende sot e kësaj dite shumica është e ndarë midis të uruarit të nënës apo të çdo gruaje.

Në thelb, mbetet një ditë që lartëson figurën femërore të të gjitha prapavijave, sociale, kulturore, fetare. Kjo ditë që simbolizon emancipimin e femrës, sheh qasjen lindore që shkon për nga nëna, e pjesa tjetër jo vetëm perëndimore që i qëndron për shtat figurës së gruas.

Shumë njerëz, veçanërisht ata mbi 35 vjeç, që jetojnë në Evropën Lindore ende e lidhin 8 Marsin me festimet e vjetra zyrtare Komuniste, me karafila të kuq të vyshkur dhe burra të dehur që ‘festojnë’ Ditën e Gruas.

Në Republikën Çeke, Dita e Gruas ka ende shumë kundërshtues pasi u keqpërdor nga ish-regjimi komunist si një mjet propagande. Shumë prej tyre akoma kujtojnë skena tragjikomike në të cilat burrat e përdornin ditën si një justifikim për të shijuar një natë të trazuar. Ndërsa gratë e punësuara merrnin kuti me ëmbëlsira pasi shefat e tyre ishin të detyruar t’u jepnin dhurata çdo anëtareje të stafit.

Pasi regjimi u shpërbë në 1989, 8 Marsi u zëvendësua nga festime të tjera të tilla si Dita e Nënës ose Shën Valentinit.

Në Sllovaki, e cila formonte një komb me Republikën Çeke deri më 1 Janar 1993, kremtimi i 8 Marsit ishte mjaft i politizuar në fillim. Partitë e qendrës së djathtë, për shembull, kanë kërkuar që Dita e Gruas të zëvendësohet me Ditën e Nënës si festë zyrtare.

Në Poloni, meqë Dita e Gruas nuk është më e institucionalizuar, festa është edhe më e spikatur sot nga sa ka qënë në të kaluarën.

Në shkollë dhe në kompani, është normale që burrat t’u bëjnë kolegëve të tyre femra një dhuratë të vogël.

Pavarësisht se kanë vuajtur nga regjimi ndoshta më i ashpër komunist nën regjimin e Çausheskut, rumunët e festojnë Ditën e Gruas pa menduar për të kaluarën. Megjithëse 8 Marsi nuk është një festë zyrtare, shumë kompani i lejojnë punonjëset e tyre femra ta bëjnë pushim.

Ky veprim vështirë se shihet si seksist, pavarësisht faktit që shumë gra e përdorin kohën që kanë në dispozicion për të gatuar një darkë festive.

Në Bullgari, 8 Marsi është një festë e dashur nga shumë njerëz, dhe konotacionet politike luajnë një rol margjinal. 3 Marsi është dita kombëtare, duke shënuar fundin e pesë shekujve të dominimit osman. Dita e Grave është e dobishme për vazhdimin e festimeve, konfirmojnë shumë Bullgarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore