Lajme

Kurti kërkon nga Borrell dhe Lajçak nënshkrimin e marrëveshjeve dhe heqjen e masave


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja Donika Gërvalla në takim me përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e së premtes me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjeve dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Kryeministri kërkoi heqjen e masave kufizuese të padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian”.

Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit është thënë se sipas Kurtit nënshkrimi marrëveshjeve është bërë i nevojshëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia.

“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në takim është thënë se u bisedua edhe për procesin e dialogut, zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara, dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, si pasojë e refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën në Veri, masa ndëshkuese si në aspektin politik dhe atë ekonomik ndaj Kosovës kishte vendosur Bashkimi Evropian.

Vetëm pas këtyre masave qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte pranuar planin e prezantuar tash e një kohë nga Bashkimi Evropian për de-eskalimin e situatës në Veri.

Por, përkundër pranimit të disa pikave të planit, BE-ja ende nuk i ka larguar masat ndëshkuese, pasi që po kërkojnë veprime shtesë nga Kosova për de-përshkallëzimin e situatës.

Më 8 janar, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u ishin vendosur Kosovës gjatë muajit qershor të vitit të kaluar për mos përmbushjen e kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veri, do largohen kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në Veri.

Dekonstruktim – cilat projekte saktësisht i humbi Kosova me sanksionet nga BE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore