Kosova

“Kurti ka mbështetjen e Amerikës, Vuçiç-i jo”


Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Gazeta serbe Danas, një nga të paktat media opozitare në Serbi, shkruan se sipas burimeve të tyre në Uashington, administrata e re Amerikane me president, Joe Biden, do ta mbështetë Kosovën dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti, në dialog, derisa presidentit serb, Aleksandër Vuçi, do t’i bëjë presion.

“Në vazhdimin e negociatave për zgjidhjen e problemit të Kosovës, administrata e Biden do t’i bëjë presion Vuçiç-it shumë më shumë se kryeministrit Kurti, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje, ka thënë një zyrtar i qarqeve diplomatike në Uashington për Danas”, shkruan gazeta.

Sipas të njëjtit shkrim, në SHBA janë shumë të kënaqur me nivelin e demokracisë në Kosovë, ndërsa të shokuar me autoritarizmin e imponuar nga Vuçiç në Serbi.

“Për Kurtin, shpjegohet se ai gëzon mbështetjen e Amerikës, përkundër se konsiderohet negociator më i pakëndshëm se paraardhësi i tij, Avdullah Hoti. Por, theksohet se Kurti do atë për të cilën edhe administrata e Biden qëndron që është njohja e Kosovës nga Serbia”, vazhdon shkrimi në Danas.

Gjithashtu, theksohet se amerikanët kanë raporte shumë të mira edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe presin shumë edhe nga ajo.

“Osmani ka lidhje shumë të mira në qarqet e afërta me Biden”, thuhet në tekst.

Po ashtu, një përparësi për Kosovën thuhet se do të jetë zëvendësimi i Matthew Palmer me Karen Donfried  si Asistent-Sekretare e Shtetit për Evropë dhe Euroazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore