Kosova

Kurti e Vuçiçi s’ishin të gatshëm të pajtohen – parashtruan kushte për njëri-tjetrin, konfirmon Borrell


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk kanë pasur gatishmëri për t’u pajtuar për “planin e ri” të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke parashtruar kushte për njëri-tjetrin.

Duke iu referuar “propozimit modern evropian” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, kryediplomati evropian ka thënë se BE-ja ka insistuar që palët të shfrytëzojnë këtë rast që, sipas tij, do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit të marrëdhënieve dhe shmangien e  cikleve të reja të dhunës në pjesën veriore të Kosovës.

“Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda kornizës së dialogut – dialogu është e vetmja rrugë për avancim në rrugën evropiane”, ka thënë shefi i diplomacisë evropiane.

BE-ja ka prezantuar një plan-propozim të ri për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), ndërsa kryeministri Kurti ka dhënë pëlqimin e saj për planin perëndimor dhe ka pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme, duke ofruar edhe nënshkrimin.

Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç gjatë ditës kanë pasur dy takime të ndara me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, për të shqyrtuar hapat përpara në kuadër të samitit të liderëve të 27 shteteve anëtare të BE-së në Bruksel të enjten.

Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë janë thirrur pastaj në takime të ndara me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas përfundimit të takimeve që dy udhëheqësit ballkanikë kanë pasur me liderët e shteteve kryesore evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore