Kosova

Kurti e la portën e hapur, Vuçiç shënoi


Ilustrim: Albin Kurti, Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Janë vetë politikat e paakordinuara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Veri të Kosovës ato të cilat e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare saqë e kanë “detyruar” presidentin e Francës, Emmanuel Macron që të kritikojë haptazi Prishtinën zyrtare nga Beogradi e të lavdërojë Serbinë për konstruktivitet, kur në të kaluarën mbështetja e Perëndimit për Kosovën merrej si e mirëqenë, thonë njohësit e çështjeve politike në vend.

Në kohën kur Serbia po thellon marrëdhëniet me Francën me nënshkrimin e një marrëveshje multimiliardëshe për blerjen e avionëve luftarakë, “Rafale”, Macron u përkujdes të theksojë se është Kosova ajo që me veprime të njëanshme po dërgon “sinjale jo të mira” dhe po shkakton shqetësim në komunitetin ndërkombëtar.

Për diplomatin kosovar, Blerim Canaj, kjo deklaratë e Macron tregon se sa Qeveria e Kosovës me veprimet e saja – të cilat me qëllim të vetëm kanë pasur konsumin e brendshëm elektoral – e ka ndihmuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në pozicionimin e tij dhe të Serbisë së pari në arenën ndërkombëtare e pastaj edhe në tavolinën dialoguese me Kosovën.

“Serbia për dhjetëra vite diploamitikisht ka punuar që të shihet si viktimë dhe tani më e ka arritur atë. Kjo i bie që Qeveria e Kosovës – me apo pa vetëdije – e ka ndihmuar Vuçiç-in që të arrijë në këtë pozicionim”, vlerëson Canaj për Albanian Post.

Macron të enjten e garantoi Vuçiç-in se Parisi zyrtar do të vazhdojë të monitorojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”.

“Prandaj, ne jemi veçanërisht të përkushtuar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, shtoi ai.

Përmendja e shkeljes së të drejtave të njeriut, sipas Canaj, në fakt e vë nën llupë Qeverinë e Kosovës – edhe ashtu i sanksionuar e me një diplomaci totalisht të shkatërruar.

“Kemi vërejtur që muajt e fundit Vuçiç nuk e përmend fare Kosovën, kjo për arsye se Albin Kurti e shpeshherë edhe Vjosa Osmani e kanë bërë punën e tij duke u futur në kurthin e Vuçiç-it dhe tani po rrotullohen në një rreth vicioz në kërkim të daljes nga kjo situatë”, shton ai.

Mesazheve të drejtpërdrejta të Macron në konferencën për media, të enjten, i parapriu ceremonie solemne, ku ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiç dhe Eric Trapije, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Dassault”, nënshkruan marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve luftarak nga Franca – në vlerë prej 2.7 miliardë euro.

Thumbimi haptazi i Kosovës e lavdërim i Serbisë nga Macron, për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, mund të lidhet pikërisht me afrimin ekonomik që Serbia arriti të bëjë nëpërmjet avionëve ushtarakë me Francën.

“Situata bëhet më shqetësuese kur marrim parasysh faktin se Parisi është njëri nga dy sponosorizuesit kryesorë të planit franko-gjerman, ndonëse Macron deklaroi se Franca i qëndron prapa planit, megjithatë interesat ekonomike e bëjnë të vetën. Dhe kjo vërehet me faktin se Macron ishte shumë i ashpër me Kosovën mu në mes të Beogradit”, thotë Kasolli për Albanian Post.

Një marrëveshje e tillë ekonomike në vlerësimin e Kasollit mund të shihet edhe “si trimërim i liderit serb”, që e ka për qëllim zvarritjen në pafundësi të normalizimit të raporteve me Kosovën.

Andaj një qasje e tillë, beson Kasolli e ka bërë procesion e dialogut të Kosovës me Serbinë më asimetrik se kurrë më parë.

“Kjo qasje duale mund të vërehet që nga zhvillimet pas 24 shtatorit ku deri më tani Serbisë i është kërkuar që vetëm t’i dënojë përgjegjësit e sulmit paramilitar serb dhe nuk kas pasur asnjë pasojë tjetër. Kurse raportet ekonomike me këto shtete vetëm sa kanë ardhur duke u thelluar, ndërkaq Kosova vazhdon të mbetet nën masa sanksionuese”, pohon ai

Edhe për Canaj afrimi ekonomik i Serbisë me Francën në kontekstin e kontratës multimiliardëshe e forcon pozicionin e Serbisë në arenën ndërkombëtare.

“Serbisë po i mundësohet një përkrahje e me këtë edhe mbrojtje nga Bashkësia Ndërkombëtare, ngase ato thjesht duke e përkrahur dhe mbrojtur Serbinë automatikisht po i mbrojnë investimet e tyre në Serbi, e cila tani kur Kosova ka marrëdhënie të ftohura me partnerët e krijuar për mbi 30 vite po e forcon partneritetin e saj me këto shtete. Natyrisht që partnerët pastaj do mbrojnë partnerët e tyre”, argumenton Canaj.

Ndërkohë për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, deklaratat e Macron në Beograd kundrejt Kosovës mund të jenë edhe një paralajmërim dhe një trysni më të madhe të Francës dhe BE-së ndaj Kurtit, sidomos në kontekstin kur Kosova “nuk po ia del dot të komunikojë natyrën e veprimeve që ka ndërmarrë, të cilat janë plotësisht legjitime, dhe nga ana tjetër të konsiderojë pozicionet e vendeve mike”.

“Ajo çfarë la një shije të keqe është fakti që deklaratat po vijnë gjatë vizitës së presidentit Macron në Beograd, ku duket se ai po e vë gishtin te Kosova pa konsideruar aspak anën tjetër të medaljes dhe rolin destruktiv të vetë Serbisë”, vlerëson Çipa për Albanian Post.

Megjithatë për Çipan ky “qëndrim pragmatik” i Macon mund të jetë edhe i natyrshëm duke marrë parasysh interesat e ngushta të Francës dhe natyrën e vizitës së tij në Beograd.

“Gjithaq të natyrshme mund të jenë dhe vlerësimet e vendeve të rajonit për politikën e Francës dhe përqafimin e Serbisë, duke marrë parasysh se çfarë rreziku përbën armatimi i Serbisë për sigurinë dhe paqen në Ballkan”, potencon ai për AP.

Një qasje më ndryshe ndaj vizitës dhe deklaratave të Macron në Serbi parashtroi, profesori i diplomacisë në Francë, Valon Murtezaj.

“E gjithë vizita e Presidentit Macron, duhet të kuptohet si bashkëpunim në kontekstin e përafrimit të një vendi të Ballkanit Perëndimor, në këtë rast Serbisë, dhe një vendi udhëheqës ne Bashkimin Evropian, siç është Franca”, tha ai për Albanian Post.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vizitën e tij të dytë zyrtare në Serbi nuk e ka kaluar pa e përmendur edhe Kosovën, por jo për të mirë.

Presidenti francez, ndërsa thumboi Kosovën falënderoi autoritetet serbe, për siç tha ai, fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit – i dakordësuar me Kosovën fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars të vitit të kaluar.

Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për “një Serbi të fortë dhe demokratike” dhe se vendimi i saj për të blerë avionë “Rafale” është një “zgjedhje strategjike dhe afatgjatë në këtë drejtim”.

“Vendi juaj ka një vend në Evropën tonë, në BE-në tonë”, shtoi ai.

Macron gjithashtu vlerësoi se çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk do të zgjidhet pa kompromis”, si dhe “pa guxim politik” duke garantuar se Parisi do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të ndërmjetësuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Procesi i normalizimit është i një rëndësie kyçe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen, gjithashtu do të kemi lëvizje të lirë të banorëve dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj”, tha Macron.

Paraprakisht Macron nëpërmjet një letre drejtuar popullit serb deklaroi që marrëveshja e propozuar nga Franca dhe Gjermania, dhe e zyrtarizuar nga Bashkimi Evropian (BE) nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara (SHBA), në kuadër të dialogut, është në përputhje me interesat e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore