Kosova

Kurti e cilëson “absurde” kërkesën e Francës dhe Gjermanisë për dërgimin e draftstatutit të Asociacionit në Kushtetuese para anëtarësimit në KiE


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).

Ai në fjalimin e tij para ministrave ka thënë se është për keqardhje mungesa e përkrahjes “nga shtetet demokratike”.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde dhe përkundër kësaj tri herë gjatë këtij procesi u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim”.

“Dy herë në komitetin për çështje politike dhe demokraci, më 27 mars në Paris dhe me 16 prill në Strasburg”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit, ka vlerësuar se kushti i ri për Kosovën është i padrejtë duke e parë renditjen në indekse ndërkombëtare.

“Në njërën anë Kosova, po përparon nga viti në vit në indekse të vlerësuar nga institucione prestigjioze të pavarura, në anën tjetër kemi një sistem ligjor të avancuar për minoritetet dhe një Kushtetutë e cila e ka përmirësuar njëanshëm obligimet që dalin nga instrumentet e Këshillit të Evropës”.

Duke shtuar se “Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion”.

Sipas tij, ky kusht s’përputhet aspak me standardet që ka Këshilli i Evropës (KiE).

“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, kusht ky që hyn në shtyllën e sundimit të ligjit në kuadër të Këshillit të Evropës, ne dëgjuam se ka kryeqytete, që tash po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”.

Edhe më 6 maj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it që për dialogun të flitet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Duke kërkuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe dialogu Kosovë-Serbi të mos ngatërrohen me njëra-tjetrën.

Thirrja e Kurtit drejtuar shteteve të QUINT-it ishte që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj për në Këshill të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore