Kurti e Borrell “kapen” në Twitter një ditë pas takimit ku u dhanë sinjale pozitive për situatën në Veri

Ilustrim: Albin Kurti dhe Josep Borrell

Dreni Himbeqa
24.06.2023 7:30
Loading Icons...

Arrestimi i një serbi i cili dyshohet se sulmoi ushtarët e KFOR-it më 29 maj në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan dhe marshimi i 215 pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër dhe anasjelltas në Mitrovicën e Jugut shkaktoi të premten “një përplasje” në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ndonëse një ditë më parë takimet e ndara në mes të Kurtit, Borrellit dhe Vuçiç’it në Bruksel dhanë sinjale pozitive – të paktën deklarativisht – se javët në vijim do të jenë më të mira dhe më paqësore situata në terren momentalisht po e dëshmon të kundërtën.

Një ditë pas takimit të menaxhimit të krizave, Borrell i ashpër në diskurs e mjaft i drejtpërdrejtë në dhënien e mesazhit u shpreh shumë i alarmuar nga situata në Veri të Kosovës meqë në bindjen e tij vendimet e Qeverisë së Kosovës dëshmuan se në fakt përshkallëzimi po vazhdon aq më tepër po bëhet i rrezikshëm.

Prandaj shefi i diplomacisë së BE-së i indinjuar me arrestimet e paautorizuara ligjërisht të serbëve e me marshimin e ushtarakëve të FSK-së në Mitrovicë – marshim ky i cili në rrjetet sociale u interpretua se gjoja ushtria e Kosovës po shkon në Veri – deklaroi se përshkallëzimi dhe rrezikimi i mëtejmë i situatës në Veri të Kosovës nuk do të lejohet.

“Shumë i alarmuar nga situata në Veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, shkoi Borrell në Twitter.

Vetëm pak orë më pas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po në të një të njëjtën platformë sociale iu përgjigj kritikave të diplomatit spanjoll duke sqaruar pozicionin e tij dhe të shtetit të cilën ai e drejton.

Kurti fillimisht shkroi se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka qenë plotësisht i informuar për marshimin e FSK në Mitrovicë të Jugut, për të cilën Borrell u shpreh i shqetësuar.

“Stërvitjet e sotme të Regjimentit të 3-të të FSK-së në Mitrovicën Jugore janë aktivitete rutinore, të planifikuara çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ia kthehu Kurti.

I pari i qeverisë sqaroi edhe çështjen e arrestimit të serbëve në Veri, për të cilën Borrell tha se ndihet i shqetësuar sidomos për faktin se serbët po arrestohen nga institucionet kosovare pa procedura paraprake gjyqësore.

“Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në Mitrovicë të Veriu për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik, kam zero përfshirje në hetime të krimeve dhe arrestimeve”, shtoi ai.

Pas sqarimeve Kurti theksoi se, në këtë fazë, përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm sa e përshkallëzojnë tensionet dhe ndihmojnë ata që kërkojnë t’i ndezin ato duke aluduar kështu se Borrell po përhap dezinformata me informacione gjysmake.

“Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”.

Çfarë ndodhi?

Policia e Kosovës, të premten, njoftoi se ka arrestuar të dyshuarin me iniciale N.O., apo njohur ndryshe me nofkat si “Nemac” dhe “Rusi”, pasi ka siguruar prova që i njëjti ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me 29 maj, në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan.

Po në këtë ditë, 215 ushtarë të FSK-së marshuan në Mitrovicë të Jugut.

Mu për këtë çështje reagoi edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili sqaroi se marshimi i regjimentit të tretë të FSK-së, i realizuar nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër dhe anasjelltas ka qenë kondicional dhe i rregullt dhe se ky aktivitet nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në Veri të Kosovës.

Të premten gjithashtu Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës parandaloi një sulm terrorist në Veri meqë pas një aksioni të njësiteve të specializuara të Policisë dhe informatave/inteligjencës së pranuar ishte identifikuar një veturë me targa të Beogradit, i cili barte sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive, dhe municioneve të ndryshme përfshirë Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

Vetura, sipas Sveçlës, ishte ndaluar rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit dhe ishte e mbushur me armatim me qëllim të realizimit të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës parandalon sulm terrorist. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ky rast, sipas Sveçlës, konfirmoi informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, u përkeqësuan edhe më tej, pasi shteti i Serbisë, arrestoj tre zyrtarët policorë të Kosovës.

Serbia po pretendon se policët nga Kosova u arrestuan thellë brenda territorit të saj.

Në anën tjetër Kosova tha se ata ishin brenda territorit të vendit.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Vuçiç: Ajo që do të ndodhë më pas s’varet as nga Borrelli, as nga unë – s’mund të ndikoni në gjithçka

Të fundit

Aktuale