Kosova

Kurti dhe Hetemi diskutojnë për qeverisjen komunale në Leposaviq gjatë 15 muajve të fundit


Foto nga Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetimin si dhe nënkryetaren Marina Bogojeviç, me të cilët ka diskutuar për qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate e cila është dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

“Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale”.

“U diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, Hetimi përmendi rëndësinë e dëgjimeve buxhetore që kanë mbajtur deri më tani me qytetarë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak dhe shqiptar.

“Me qëllim adresimin e kërkesave të tyre dhe planifikimit të projekteve dhe përgatitjet e kërkesave për mbështetjet nga niveli qendror”.

Kreu i ekzekutivit, bashkë me ministrat në takim i ka ofruar kryetarit Hetimi dhe nënkryetares mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të punuar sa më afër në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor.

Më 5 shtator, Kurti është takuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe nënkryetaren Katarina Adançiç si dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune të cilët i ka përgëzuar për punën e bërë në këtë komunë.

Kreu i ekzekutivit i ka ofruar kryetarit dhe nënkryetares së Veriut, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre.

Më 30 gusht, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur pesë institucione paralale ilegale të vetëqeverisjes lokale në Veri, të cilat sipas tij kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë.

Ky veprim ishte kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore