Shqipëria

Kurti: Shtetet tona dëshmuan që diskutojnë edhe pa përmendur fqinjin verior të Kosovës


“Edhe në takimin në Prishtinë, edhe në takimin e sotëm dëshmuam që Kosova e Shqipëria diskutojnë, planifikojnë edhe pa përmendur fqinjin verior të Kosovës”.

Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, të premten e 26 nëntorit pas mbledhjes së dy qeverive, për sa i përket marrëdhënies së dy shteteve në raport me Serbinë, pasi Shqipëria është pjesë e nismës Open Balkan.

“Janë dy shtete sovrane, synojnë BE, por nuk kanë nevojë që ta paramendojnë dhe përmendin fqinjin verior të Kosovës. Bashkëpunimi mes dy qeverive do të forcojë shtetet dhe do të vlejnë për qytetarët”.

Sa i përket çështjes së bashkimit kombëtar, Kurti tha se “bashkimi i shqiptarëve nuk përzgjidhet, por është indencë që na përzgjedh”.

Ndër të tjera, Kurti theksoi se sa më të integruar “që bëhemi për Bashkimin Evropian, aq më të inkurajuar do të jenë qytetarët për të ndërtuar jetët e tyre në vendet e tyre”.

Ai tha gjithashtu se gjatë forumit Shqipëri-Kosovë për bizneset, do të diskutojnë mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe zgjerimin e tregjeve.

“Jam optimist dhe besoj se, vitin e ardhshëm, vullneti i popullit do të shndërrohet në detyrë për ne”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore