Sport

Kupa e Shqipërisë/ Radha për raundin e 1/8-ave


Kupa e Shqipërisë zhvillon sot raundin e një të tetave, pas të cilit do të bëhen të ditur edhe emrat e tetë skuadrave çerekfinaliste.

Dita mbizotërohet zakonisht nga duele të skuadrave të Ligës së Parë, që presin ato të Superiores. Por, ka edhe nga ato duele që janë krejtësisht superiore.

Shtatë nga tetë takimet e sotme luhen në orën 14:00.

Partizani, krejtësisht jashtë formës, udhëton në Lezhë për t’u përballur me Besëlidhjen e Lezhës.

Demat e kuq janë favorit në këtë ndeshje, por Besëlidhja ka qenë një ekip që shpesh ka ditur të shkaktojë befasi në ndeshjet e kupës.

Bylisi, që po kalon një formë të mrekullueshme në ligën e dytë, me shtatë fitore nga shtatë ndeshje, e pret në Ballsh, Skënderbeun.

Dueli, krejtësisht i Superiores, është ai mes Egnatia-s dhe Kukësit.

Ndeshja e parë e sezonit mes këtyre dy ekipeve përfundoi me rezultat 1-3, në favor të kuksianëve.

Në Vlorë udhëton Kastrioti, që do të përballet me Flamurtarin.

Kampionët në fuqi të Superiores, Teuta, do të udhëtojnë në Peshkopi, ku do të priten nga Korabi.

Vllaznia përballet me Pogradecin, kurse Laçi shkon në Berat, për takimin kundër Tomorit.

Ndeshja e fundit zhvillohet me fillim në orën 16:45.

Bëhet fjalë për derbin e kryeqytetit, Dinamo – Tirana.

Kjo është përballja e parë për dy skuadrat që nga viti 2012, pasi takimi direkt në Superiore ende nuk është zhvilluar.

Tetë ndeshje që premtojnë luftë dhe spektakël, me trofeun e kupës që tani është në mendjen e secilës skuadër të mbetur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore