Kosova

Krasniqi uron 28 nëntorin: Dy shtete e miliona zemra që rrahin shqip


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka uruar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se është obligim dhe detyrë që të kultivohet shpresa dhe orientimi i pandryshuar për gjeneratat e ardhshme.

“Sot, obligimi dhe detyra jonë është ta kultivojmë shpresën, të mbajmë zemrën në vendin e duhur, përkushtimin dhe orientimin e pandryshuar – për të ardhmen dhe gjeneratat e reja – në vendet tona!”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai ka kujtuar hapat që janë bërë për krijimin dhe themelimin si shtet.

“Gjashtë shekuj përpjekje, luftë, sakrificë, trimëri, guxim, atdhedashuri, bashkim e frymëzim për liri.  Sot, dy shtete e miliona zemra që rrahin shqip në mbarë botën e lirë, të rritur mbi shpatullat e gjigantëve! Fitimtarë, sepse jemi në të drejtën tonë – fitimtarë do të dalim edhe në luftën e fundit për drejtësi”, ka shkruar Krasniqi.

Ishte data 28 nëntor 1443 kur heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vendosi të braktisë ushtrinë turke dhe të luftojë për çlirimin e atdheut të tij.

I lindur në Krujë dhe i biri i një udhëheqësi që u rebelua kundër Perandorisë Osmane, ai u mor me forcë nga familja, bashkë me vëllezërit e tij, kur ishte ende fëmijë.

I rritur dhe i stërvitur në ushtrinë turke, ai luftoi dhe fitoi disa beteja pavarësisht se vazhdoi të ëndërronte të kthehej në vendlindje.

Dhe kështu ishte; i shoqëruar nga 300 burra besnikë të tij, ai braktisi turqit dhe u rreshtua kundër tyre, duke rimarrë në radhë të parë Krujën dhe më pas territore të tjera në emër të Shqipërisë.

Por dominimi turk zgjati për një kohë të gjatë, derisa në vitin 1912, në të njëjtën ditë, më në fund u shpall pavarësia nga Perandoria Osmane pas fitores së luftës së parë ballkanike ku u përfshi edhe Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe Bullgaria.

Në këtë 28 nëntor, Ismail Qemal ngriti flamurin shqiptar në një ballkon në Vlorë dhe u shpall kryeministër.

Shqipëria më në fund u lirua dhe u shpall shtet i pavarur, por duke humbur një pjesë të mirë të territoreve që iu aneksuan shteteve fqinje.

110 vite shtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore