Krasniqi nis dëshminë në Hagë: Porosia e miqve ishte t’i përshëndes ish-krerët e UÇK-së

Vazhdon gjyqi në Hagë
SHFLETO

Demush Krasniqi

Valon Rashiti
23.09.2024 11:18
Loading Icons...

Ka nisur dëshminë në Hagë në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Demush Krasniqi.

Në fjalën e tij hyrëse, ai theksoi se ka një porosi nga miqtë dhe shokët e tij që t’i përshëndeste ish-krerët e UÇK-së që po gjykohet si të akuzuar për krime lufte.

“Porosia e tyre ishte që unë personalisht t’i përshëndes krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe deputetin Rexhep Selimin. Ma dhanë këtë porosi miqtë, shokët që unë këtë ta përcjelli”, tha Krasniqi.

Ai është pyetur më pas nga prokurori se kush janë këta miq, por Krasniqi nuk ka përmendur emra, por ka thënë se janë miq të tij.

“Ishin miq të mi. Ishte dëshira ime që ta përcjelli këtë mesazh”, shtoi tutje dëshmitari.

Sipas ZPS-së, Krasniqi u kyç në njësitin Lumi në Balincë të Malishevës rreth majit të 1998-ës. Më pas, shërbeu si anëtar i Policisë Ushtarake në Brigadën 122 përfshirë edhe Zonën e Dragobillës.

Tutje, prokurori tha se Krasniqi do të jep dëshmi edhe sa i takon rolit të tij në UÇK, vijave të raportimit të njësive të UÇK-së etj.

Dëshmia e Krasniqit pritet të zgjas rreth gjysmë dite e që nga kjo kohë, gjysmë ore i ka kërkuar Prokuroria për pyetjet e veta. Ndërsa, mbrojtja ka parashtruar se i duhen rreth dy orë e 30 minuta për kundërpyetje.

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 88 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 89-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.