Kosova

Krasniqi: Kosova po zbrazet, çka do që flet sot kryeministri s’ka asnjë vlerë


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, gjersa po debatohet për dy vitet e Qeverisjes së ekzekutivit kosovar të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se përgjatë dy viteve të fundit mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.

“Mesatarisht mbi 1 mijë qytetarë në javë”, ka thënë Krasniqi fillimisht.

Sipas tij gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, 107 mijë e 310 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga vendi, jo si turist, por si mërgimtarë.

“Ata kanë humbur shpresën dhe besimin perspektivën që mund të ofrojë shteti”, ka shtuar ai.

Ky migrim i paprecedentë, sipas Krasniqit, flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit me Qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Të reja e të rinj, vetë e me familje, nga fshati e qyteti, të papunë e të punësuar, mjekë e mësimdhënës, infermierë e arkitektë, inxhinier e bankier nga çdo kategori sociale, Kosova po zbrazet vendi ynë po shpopullohet familjet tona po zvogëlohen. Çka do që flet sot kryeministri, nuk ka asnjë vlerë”.

Pavarësisht kritikave të opozitës kryeministri Kurti dy vjetorin e udhëheqjes në Qeveri e ka konsideruar si të suksesshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore