Kosova

Kosovë: Zgjidhet kryesuesi dhe anëtarët e Bordit të ZRRE-së


Kuvendi i Kosovës

Ymer Fejzullahu është zgjedhur kryesues i Bordit të ZRRE-së.

Me 64 vota për, nga 67 deputetë sa ishin, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryesuesin dhe anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Ndërkaq Lutfie Dervishi me 65 vota për, dhe Gani Buqaj me 63 vota për, kanë arritur të bëhen anëtarë të bordit të ZRRE-së.

Kuvendi i Kosovës përzgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të bordit në fjalë ka bërë me votim të fshehtë pa praninë e partive opozitare.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) Ferat Shala, ka kundërshtuar këtë propozim duke e cilësuar procesin si të paligjshëm.

Ai ka akuzuar qeverinë se ka ndryshuar krejtësisht listën e aplikantëve të rekomanduar nga ekspertët duke krijuar një listë politike për ta kapur shtetin.

“Qeveria ka hapur konkurs, kanë aplikuar shumë ekspertë, ka zgjedhur një panel vetë qeveria për vlerësim dhe selektim profesional të pjesëmarrësve, ka dorëzuar listën dhe çfarë ndodhë, ndryshohet krejtësisht një listë tjetër dhe qeveria na ka sjellë sot listën e vullnetit të vet politik jo listën qe kanë rekomanduar ekspertët”, ka thënë Shala.

“Pse po shpallni konkurs kot publik, pse kemi ndryshim,  kemi tentim për të kapur këtë institucion kredibil të nevojshëm dhe për këtë arsye grupi ynë parlamentar nuk mund të marrë pjesë”.

Gjatë votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bordit të ZRRE-së, e vetmja deputete nga opozita që ka marrë pjesë në votim është Albena Reshitaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Gjatë votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bordit të ZRRE-së, e vetmja deputete nga opozita që ka marrë pjesë në votim është Albena Reshitaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Në anën tjetër në këtë seancë plenare është votuar edhe për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave ku asnjëri nga kandidatët e propozuar për tre anëtarët nuk morën votat e mjaftueshme dhe Kuvendi i Kosovës vendosi që konkursi për këtë komision duhet të përsëritet.

Votimi i të dy Bordeve ishte bërë pa praninë e deputetëve opozitarë, pasi këta të fundit kishin lëshuar sallën pas kërkesës së Kryetares së Grupit parlamentar të Lëvizjes së Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari Lila, që dy pikat e fundit të rendit të ditës të zhvendosen si pikë e tretë.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kishte kundërshtuar këtë kërkesë të LVV-së me arsyetimin se “në interes të qytetarëve është që të debatohet 100 ditëshi i qeverisë pastaj të vazhdojmë me votimet e radhës”.

Edhe deputeti nga radhët Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kundërshtuar këtë mocion duke thënë se ky ndryshim shërben vetëm individëve të caktuar.

“Nuk është në interes zhvendosja e këtyre pikave dhe kjo tregon që interesi i mazhorancës është më shumë emërimet dhe shkarkimet apo rehatimi i individëve të caktuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore